Sondazhi


Të dhëna tronditëse për pasojat e krizës ekonomike, shumë nuk mbyllin dot muajin


ushqimet britaniNjë në pesë familje në Britaninë e Madhe mori hua para apo përdori kursimet e veta për të mbuluar koston e ushqimeve në prill, bën të ditur një vrojtim i kompanisë “Which?” i raportuar nga BBC. Studimi sugjeron se deri në 5 milionë familje përdorën kartat e kreditit, overdraftet apo kursimet për të blerë ushqime.


Një grup për mbrojtjen e konsumatorëve organizon çdo muaj një vrojtim të përqendruar në sjelljen e konsumatorëve. Në prill, 2 mijë njerëz morën pjesë në sondazh.


Drejtori i organizatës “Which?” Richard Lloyd i komentoi rezultatet si “thjesht tronditëse”. Kjo shifër del e ndryshme nga statistikat zyrtare, të cilat raportuan se numri i falimenteve personale ka rënë në nivelin më të ulët në pesë vjet muajin e kaluar.


Studimi zbuloi se nga njerëzit që përdornin borxhe apo kursime për të blerë ushqime, 55 për qind planifikonin të ulnin konsumin ushqimor në muajt e ardhshëm, ndërsa një e treta thanë se i duhej të merrnin hua nga miqtë apo familja për të plotësuar nevojat.


Rreth një e treta e të intervistuarve thanë se kanë shkurtuar shpenzimet mbi gjërat e domosdoshme muajin e kaluar dhe këto qenë më së shumti gra në moshën 30 deri 50 vjeç.


Lloyd tha se vrojtimi tregon shumë familje që janë në pikën e thyerjes për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. “Është thjesht tronditëse që kaq shumë njerëz kanë nevojë të përdorin kursimet apo borxhet për të paguar konsumin e domosdoshëm si ushqimet”.


Në Britaninë e Madhe, qeveria ka hapur dyqane të posaçme ku shpërndahen ushqime falas për njerëzit që nuk kanë mundësi të ushqejnë veten. Aktualisht, rreth 350 mijë britanikë marrin tre vakte në ditë në këtë rrjet prej 325 dyqanesh bamirësie në të gjithë vendin.