Si funksionon
Kufizimi – Media sociale ndalon postimet abuzive, ku përfshihet “gjuha e urrejtjes” dhe ia lë në dorë denoncimin e abuzimit vetë përdoruesve të tjerë
Sulmi – Rrjetet e militantëve angazhohen të raportojnë sa më shumë postime të kundërshtarit si “abuzive”, gjë që e bind “Facebook” të fshijë atë postim
Pirateria – Në raste të ndryshme, emri dhe fjalëkalimi i përdoruesit vidhet, veçanërisht në kompjuterë publikë dhe llogaria e tyre përdoret për postime spekulative
Përfitimi – Për shkak se postimet në rrjete sociale zgjasin vetëm pak orë para se të humbasin në “histori” një sulm i tillë thjesht sa acaron viktimat e sulmit
Reagimi – Viktimat e sulmeve të tilla sugjerohen të ruajnë një kopje të postimit në kompjuter dhe ta ripostojnë atë, një veprim i thjeshtë që “çon dëm” punën e sulmuesve
PS ankohet për një “sulm kibernetik” mbi postimet e saj në rrjetet sociale, ku fshihen komentet kritike
Propaganda politike në Shqipëri është transferuar në një masë të madhe në internet në këtë fushatë, ku palët po shpenzojnë shumë para për reklama të pafundme. Por njësoj si me propagandën në median konvencionale, palët politike po përdorin edhe shumë teknika të pista që synojnë të dëmtojnë kundërshtarin dhe duket se nuk po i kursejnë paratë dhe njerëzit. Dje, disa zyrtarë të Partisë Socialiste bënë të ditur se kanë rënë pre e sulmeve në faqet e tyre në “Facebook”, ku shumë postime fshihen automatikisht, pasi duket se janë raportuar si abuzime te “Facebook” nga përdoruesit. “Facebook” ndalon pornografinë, kërcënimet apo gjuhën e urrejtjes nga ana e përdoruesve dhe i jep mundësi çdo përdoruesi të raportojë një postim apo një përdorues tjetër si abuziv. Në rast se numri i njerëzve që raporton një postim si abuzim është shumë i lartë, atëherë “Facebook” e fshin automatikisht postimin. “Facebook” ka struktura kontrolli, por këto struktura duket se nuk funksionojnë shumë mirë kur vjen fjala për përdoruesit në gjuhën shqipe.
“SAPO E FSHINË STATUSIN KU PËRMENDEJ CENSURA E RE E FJALËS NË “FACEBOOK” NGA SALI BERISHA!!”, shkroi deputeti socialist, Erjon Braçe dje.
“Top Channel” raportoi gjithashtu se edhe një postim i kreut socialist, Edi Rama, ka rënë pre e fshirjes si pasojë e raportimeve “abusive”.
Luftë fansash
Të gjitha palët politike duket se kanë angazhuar militantët e vet jo vetëm për të bërë propagandë në “Facebook”, por edhe për të sharë kundërshtarët apo kritikët. Të njëjtët fansa më herët qenë angazhuar në botën e komenteve të lajmeve, duke sharë autorët apo personazhet e lajmeve përmes pseudonimeve. Vala e sharjeve ka qenë shumë më e lehtë më parë nëpër hapësirat e komenteve të lexuesve për shkak se sistemet e identifikimit kanë qenë inekzistente. Por gjatë viteve të fundit është bërë e mundur që përdoruesit e internetit të identifikohen paraprakisht.
Disa nga komentatorët publikë janë ankuar herë pas here se kanë rënë pre e sulmeve me komente fyese nga partitë politike (majtas dhe djathtas), komente që dyshohet se janë të koordinuara nga zyrat e propagandës elektorale.
Sulmi i automatizuar
Piratët në raste shumë të kufizuara janë në gjendje që të vendosin nën kontroll kompjuterin e një përdoruesi të panjohur, ku në programin e lundruesit të internetit instalojnë një script automatik. Por ekspertët dyshojnë që sulme të tilla të jenë përdorur ditët e fundit për shkak të kompleksitetit teknik të kërkuar.
Mbrojtja e mundshme
Viktimat e sulmeve “report abuse” këshillohen të ruajnë një kopje të postimeve dhe t’i rihedhin ato pasi të jenë fshirë, pasi arranxhimi i dhjetëra apo qindra njerëzve besnikë për të raportuar abuziv një postim kërkon shumë energji dhe ka gjasa që militantët do të heqin dorë nga kjo praktikë shumë shpejt.
Koordinim
Të gjitha partitë politike kanë përqendruar njerëz dhe burime për të bërë propagandë në internet, ku lloji i propagandës së kryer shumë shpesh tejkalon çdo limit etike. Një pjesë e kësaj propagande duket se është e mirëkoordinuar për të dhënë përshtypjen që një ide është njëkohësisht mendim dominues i popullsisë.
Like të blerë lirë
Udhëheqësit politikë kanë realizuar me qindra mijëra pëlqime në faqet e veta të “Facebook”, kryesisht duke përfituar nga efikasiteti i lartë i reklamave të paguara, të cilat ofrohen nga “Facebook” përkundrejt çmimeve që fillojnë nga 20 dollarë për disa qindra like apo nga 500 dollarë për disa mijëra. Politikanët që nuk kanë bërë reklama, kanë arritur më së shumti të kapin 2 apo 3 mijë like ndërsa politikanët që kanë përdorur këtë mjet arrijnë të shënojnë me dhjetëra mijëra like në një periudhë të shkurtër.