E hëna mund të jetë seanca e fundit për këtë sesion. Meta, sërish thirrje Kryeministrit


Tri ligjet – Komisioni Europian i ka vendosur si kusht politikës shqiptare miratimin e tri ligjeve për të arritur marrjen e statusit të vendit kandidat


Kuvendi i ShqiperiseKuvendi i Shqipërisë, sipas njoftimit zyrtar, ka parashikuar në axhendë një seancë plenare. Në rendin e ditës janë disa akte normative, por sfida e radhës është nëse mazhoranca dhe opozita do të bashkojnë votat për të votuar tri nismat e kërkuara nga Komisioni Europian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat. Opozita është tërhequr dhe ka deklaruar vullnetin pro miratimit të këtyre nismave. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, sërish i bëri thirrje kreut të PD-së, që të mbajë premtimin për kalimin e tri ligjeve. “Shpresoj se Kryeministri të mbajë premtimin dhe t’i votojë tri ligjet e kërkuara nga ana e BE-së”, theksoi dje Meta. Ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha, dy ditë më parë u shpreh se “Komisioni Europian, kur ligjet nuk u votuan në nëntor, deklaroi se u japim afat deri në mars t’i votoni në mënyrë që në mars t’u japim statusin. U bë gjithçka që të mos votoheshin dhe tani i bënë ligjet si pallati në pajë. E bënë pazar votimin e tyre. Ne do të votojmë, por mbi ta do të rëndojë akti më i papërgjegjshëm. Ata tregojnë se s’kanë asnjë princip, se principi i tyre janë pazare e vetëm pazare dhe jo interesat e qytetarëve, jo interesat e qytetarëve të Lezhës dhe të Shqipërisë, që me statusin e vendit kandidat do të merrte qindra milionë euro investime, për rrugët, urat, kanalizimet, shkollat dhe investimet private.


Ata ndoqën thjesht interesat e marrëveshjeve, të cilat e vërteta është se cilësimin më të bukur ua bëri zoti Majko, si marrëveshje të 1 prillit”, tha Berisha. Lideri i PS-së, Edi Rama, pas apelit të parë tashmë aleatit të tij politik, Metës, u shpreh pro votimit të këtyre nismave, duke theksuar se kjo duhej të bëhej me kushtin që hyrja në fuqi të jetë në muajin shtator. Rregullorja e Kuvendit, projektligjet për “Gjykatën e Lartë” dhe “Statusi i Nëpunësit Civil” janë tri nismat që kërkohen nga ana e Bashkimit Europian. Kalimi i tyre në Parlament kërkon një shumicë të cilësuar të votave. Pa 84 vota këto nisma nuk mund të kalojnë në seancë kuvendore. Dita e sotme shihet tepër e ngarkuar politikisht, pasi selitë e partive kryesore janë përfshirë nga ethet e hartimit të listave elektorale. Pavarësisht se mandati i Kuvendit mbaron më 25 maj, e hëna mund të jetë seanca e fundit për këtë legjislaturë.