“KQZ nuk mund t’i administrojë zgjedhjet në mënyrë korrekte”
Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur ndryshe edhe si Komisioni amerikan i Helsinkit, ka zhvilluar një seancë dëgjimore për Shqipërinë. Fillimisht përpara dy kongresmenëve Robert Aderholt dhe Eliot Engel, ka folur Philip Reeker, zv/ndihmëssekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike. Ai tha se SHBA-ja është e shqetësuar për pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “KQZ-ja nuk ka anëtarë për të administruar zgjedhjet në mënyrë korrekte”, tha Reeker. Ai deklaroi se politikanët në Shqipëri duhet të plotësojnë vendet vakante në KQZ. “Politikanët kanë detyrë të përzgjedhin anëtarë të rinj për të zëvendësuar ato vende. Ne u kërkojmë të përmbushin këto detyrime dhe të sjellin emra”, tha Reeker. “Institucionet në Shqipëri janë të reja dhe nuk kanë qenë gjithmonë në gjendje të organizojnë zgjedhje që plotësojnë pritshmëritë”, vijoi zyrtari amerikan. Ai tha se KQZ-ja e ka kapacitetin për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Palët duhet të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Duhen bërë zgjedhje që të reflektojnë standardet e një vendi të NATO-s”, theksoi Reeker. Ai u shpreh disa herë se ata nuk përkrahin asnjë palë, por janë në krah të popullit shqiptar, që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reeker tha se nëse zgjedhjet do të kenë manipulime, SHBA-ja nuk do të bëjë sehir.
“Njerëzit do të jenë tepër të zhgënjyer nëse do të ketë manipulime. Nëse kjo ndodh, ne nuk do të bëjmë sehir”, tha zyrtari i lartë i DASH-it. Deklaratat e djeshme nga Uashingtoni, në fakt janë vazhdim i asaj që qeveria e SHBA-së ka përsëritur në mënyrë konsistente. Vetëm dy javë më parë, drejtori i DASH-it, Jonathan Moore, ka deklaruar nga Uashingtoni gjatë një konference kushtuar zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që zgjedhjet të arrijnë standardet demokratike, ndërsa ka theksuar se mosfunksionimi i KQZ-së rrezikon zhvillimin normal të tyre.
“Zgjedhjet janë të rëndësishme për demokracinë dhe progresin. Shpresoj që zgjedhjet të arrijnë standardet demokratike, pasi ato janë test për demokracinë. Mosfunksionimi i KQZ-së rrezikon zhvillimin e zgjedhjeve. Kur isha unë në Shqipëri, KQZ-ja ishte me 5 anëtarë, ndërsa tani ka mbetur vetëm me tre. KQZ-ja duhet të funksionojë si duhet”, u shpreh Moore. Ndërkohë, në këtë konferencë ka folur edhe Rob Benjamin nga Instituti Demokratik Ndërkombëtar për Çështje Ndërkombëtare, i cili gjithashtu bëri thirrje për zgjedhje demokratike dhe të pranueshme nga të gjithë, ndërsa duke iu referuar situatës aktuale në institucionin më të lartë zgjedhor, u shpreh se KQZ-ja nuk është një parti politike.