Edhe pse janë ndërruar disa qeveri, strategjia kombëtare e sigurisë në Shqipëri ka mbetur e njëjta që nga viti 2004. Ky dokument nuk u përgjigjet zhvillimeve të kohës. Qeveria aktuale ka nisur punën për rishikimin e dokumentit
Shërbimet sekrete, Braho: Ato janë jashtë kontrollit parlamentar
BLEDAR HOTI
Shqipëria nuk ka një dokument strategjik të sigurisë kombëtare të kohës prej 10 vitesh. Dokumenti i fundit strategjik është hartuar nga ana e shtetit shqiptar në 2004 dhe që prej 10 vitesh nuk ka pësuar ndryshim nga qeveritë që e kanë pasur pushtetin në Shqipëri. Mungesa e një strategjie të tillë, të shtetit anëtar të NATO-s, ku nuk parashikon zhvillimet në kohë u bë prezent në tryezën e organizuar nga ana e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), për “Rolin e Parlamentit në përmirësimin e sistemit vendimmarrës të sigurisë kombëtare”. Një tjetër çështje problematike që cilësohet si dualizëm ose përplasje kompetencash është ekzistenca i dy organizmave për sigurinë kombëtare, një i parashikuar në Kushtetutë, që drejtohet nga Presidenti i Republikës, ndërsa tjetri i krijuar në 2003 nga Kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, Komiteti për Politikat e Sigurisë.
Braho
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, duke e cilësuar si të rëndësishëm mbikëqyrjen e agjencive të shërbimit sekret që operojnë në Shqipëri nga Kuvendi, nxori në dukje një fakt tronditës, ku Legjislativi prej kohësh nuk i ka kontrolluar ato. “Pas vitit 2000, Kuvendi ka pasur rol në mbikëqyrjen e agjencive të shërbimit sekret. Por tani vërejmë që roli i Parlamentit nuk ka qenë aq i përfshirë në kontrollin e këtyre agjencive. Pra mund të themi se ka munguar praktika parlamentare për kontrollin e shërbimeve që operojnë për sigurinë që ata prodhojnë”, tha Braho në takim. Kryekomisioneri gjithashtu theksoi se është i nevojshëm rishikimi i dokumentit strategjik për sigurinë, si dhe të shihet roli i dualizmit mes Presidentit dhe Kryeministrit. “Kuvendi duhet dhe mund të marrë një rol më të madh për të shmangur dualizmin mes Presidentit dhe qeverisë. Ekzekutivi siç e dini ka krijuar struktura të tjera”, theksoi Braho.
Meidani
Ish-Presidenti Rexhep Meidani, në fjalën e tij e cilësoi si tepër të nevojshme ndërhyrjet në Kushtetutë për të rregulluar një dualizëm që ekziston ndërmjet Këshillit të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga Presidenti dhe Komitetit të Politikës së Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga Kryeministri. Duke i mëshuar idesë se Këshilli duhet të jetë një organizëm që të drejtohet nga Presidenti, si garant i Kushtetutës, Mediani tha se ky reformim është tejet i nevojshëm dhe duhet të gjendet një praktikë, që mirëpërcakton detyrat duke shmangur në këtë mënyrë dhe përplasjet institucionale. Ai e cilësoi si imediate miratimin e ligjit “Për mbikëqyrjen parlamentare të agjencive inteligjente”, duke e cilësuar si imediate ngritjen e nënkomisionit të posaçëm. “Është hartuar një draft nga një ekspert britanik. E kam parë është shumë i mirë, duhet të shihet me shpejtësi dhe të miratohet nga Parlamenti”, theksoi Meidani. Duke iu referuar dokumentit strategjik, ish-presidenti bëri të ditur se duhet të zgjerohet dhe me çështjet e të drejtave të lirive të njeriut, shoqërinë civile apo dhe media e lirë, që kanë një rol të tyrin. Ai hodhi idenë se strategjia kombëtare mund të orientohet si një dokument i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ish-kreu i shtetit kërkoi përcaktimin e qartë të rolit të Presidentit në raport me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në kohë lufte dhe paqeje, duke kërkuar ndërhyrje në Kushtetutë. Një tjetër shqetësim që ish-presidenti ngriti ishte ai i mercenarizmit, duke iu referuar dërgimit të shqiptarëve në Siri. Sipas tij, kjo gjë do të ndikojë në elemente të bashkekzistencës fetare, prandaj një gjë e tillë duhet të përfshihet në strategjinë e sigurisë kombëtare. Të pranishmit, përfaqësues të agjencive të SHISH apo dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, kërkuan që të ketë një njësi koordinative të posaçme në lidhje me analizën që ato bëjnë në mënyrë që të jenë materialet apo sugjerime të jenë të përmbledhura. Ndërsa ato ishin të ndarë për drejtimin e Këshillit të Sigurisë nëse duhet të drejtohet nga Presidenti apo Këshilli i Ministrave. Ndërsa, Frank Hantke, drejtor i Zyrës së FES në Tiranë, u shpreh se në çështjet e sigurisë kombëtare duhet të përfshihet opozita. “Nëse nuk përfshihet opozita në këtë proces nuk do të kemi sukses. Siguria është një çështje që nuk i takon vetëm qeverisë, duhet konsensus i gjerë me të gjithë aktorët e Parlamentit”, tha ai.
[callout]Dokumenti – Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Shqipërisë (SSK) është dokumenti kryesor, i cili përcakton mënyrat e realizimit të sigurisë për shtetin dhe shtetasit në një mjedis strategjik në ndryshim.
Institucionet – Strategjia e Sigurisë Kombëtare përcakton Parlamentin, Presidentin dhe Këshillin e Ministrave si institucionet më të larta përgjegjëse për implementimin dhe rishikimin e saj.
2004 – Strategjia e vetme që është në fuqi akoma është ajo e miratuar në vitin 2004. Prej 10 vitesh nuk ka pasur asnjë rishikim të dokumentit
Opozita – Edhe pse ishte e ftuar në tryezë, deputetët e opozitës nuk morën pjesë në tryezë. U theksua në takim se roli i saj është i rëndësishëm
Kushtetuta – Mediani ka shprehur nevojën e ndryshimit të Kushtetutës për çështjet e sigurisë kombëtare, si dhe rishikimin e kompetencave të Presidentit [/callout]
Përplasja
Këshilli i Sigurisë, Nishani nuk e ka mbledhur
Presidenti Nishani që pas marrjes së detyrës së tij nuk e ka mbledhur asnjëherë Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Ndërsa paraardhësi i tij, Bamir Topi, e ka mbledhur vetëm dy herë gjithsej, për ngjarjen e Gërdecit dhe përmbytjet në Shkodër. Dhjetë herë, ky këshill i lartë i sigurisë është mbledhur gjatë presidencës së Alfred Moisiut. Ndërsa në 2003, Kryeministri i asaj kohe, Nano, për shkak të përplasjeve me Presidentin Mediani ngriti një Komitet të Posaçëm për Sigurinë duke krijuar kështu dualizëm. Si kryetar i shtetit dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti është përcaktuar si funksionari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit, parimeve dhe objektivave të sigurisë së vendit, si dhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtarë. Këshilli i Ministrave është përcaktuar si organi më i lartë i ekzekutivit dhe përgjegjës për implementimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, ndërsa Kryeministri, si funksionari më i lartë i ekzekutivit është përgjegjës për krijimin dhe drejtimin e Komitetit të Politikave të Sigurisë Kombëtare. Duke iu referuar parimit të kontrollit demokratik, Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK) parashikon se Parlamenti është organi i vetëm përgjegjës për miratimin e SSK dhe mbikëqyrjen e zbatimit të saj.