Dy imamë arrestohen: Propagandonin kundër shtetit dhe vendeve perëndimore



Tetë persona janë arrestuar me akuzën e terrorizmit, ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve janë edhe dy imamë të vetëshpallur, ai i xhamisë së Unazës së Re dhe ai i Mëzezit në Tiranë dhe që nuk ishin të autorizuar nga Komuniteti Mysliman. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arrestet, pas një hetimi që ka zgjatur rreth 10 muaj, ku është faktuar se të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim rekrutonin besimtarë myslimanë, duke i dërguar si pjesëtarë të formacioneve të ndryshme për të luftuar në Siri.


Hetimi ka nisur pas disa indicieve të agjencive të shërbimeve të huaja, që sinjalizuan Shërbimin Sekret Shqiptar për këto rekrutime, si dhe për humbjen e jetëve të shtetasve shqiptarë gjatë luftimeve në Siri, kundër regjimit të Bashar Al Asadit.


Mësohet se SHISH kreu disa përgjime dhe më vonë lajmëroi Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila është akuza që heton aktet terroriste, ndërsa u kryen verifikime për një celulë, e cila vepronte në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec, qytete ku dhe u arrestuan personat.


Kryeprokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci tha se për pesë persona të tjerë është dhënë masa e arrestit, ndërkohë që shtoi se në banesat e të arrestuarve janë bllokuar libra fetarë, karta identiteti në arabisht, rroba kamuflazhi, si dhe kontrata të ndryshme.


 


Të arrestuarit


Kryeprokurori i Krimeve të Rënda tha se në pranga ka përfunduar Genci Balla, lindur e banues në Librazhd, me arsim të lartë, i vetëshpallur imam i xhamisë së Unazës së Re, i paautorizuar nga Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në pranga ka rënë edhe Bujar Hysa, nga fshati Bastar, Tiranë, e banues në Mëzez, i vetëshpallur imam i Xhamisë së Mëzezit, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Këta dy persona kanë qenë organizatorë. “Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale dy aparate celularë, disa karta memorie telefoni celular dhe një aparat fotografik, kartë identiteti në gjuhën arabe si dhe një sërë kontratash depozita bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë. Janë gjetur edhe disa libra fetarë, mes të cilëve libri “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”. Në objektin ku ushtron veprimtarinë fetare, u gjetën tri njësi kompjuteri, çantë ushtarake kamuflazhi, dy telefona celularë dhe 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm.


Personi i tretë i arrestuar është Edmond Balla, nga Elbasani. I katërti është Zeqir Imeri, lindur në Dibër e banues në Yrshek, Tiranë. Në banesën e këtij shtetasi u gjetën 8 telefona celularë, 2 karta telefoni, 1 granatë ofensive e pamontuar, 1 armë automatike e tipit kallashnikov, 4 krehra automatiku, 320 fishekë të kalibrit 7.62, 1 thikë me dorezë kauçuku të zezë, 2 radio dhënëse-marrëse, 1 xhup kamuflazhi si dhe 1 çantë sportive ku mbaheshin fishekët. Personi i pestë i arrestuar është Verdi Morava, nga Tirana. Janë arrestuar edhe Fadil Muslimani nga Elbasani dhe Astrit Tola, banues në Mëzez.


 


Akuzat


Në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, Beci, i shoqëruar nga kreu i policisë, Artan Didi, bëri publike detajet e operacionit. “Të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale të rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste, të nxitjes, thirrjes publike dhe propagandë për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste, të nxitjes së urrejtjes ose grindjeve nëpërmjet kombësive, racave dhe feve. Shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtronin aktivitet fetar ilegal të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez në Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologjinë radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë në sanksion nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, tha Beci. Mësohet se policia mbajti nën vëzhgim imamët e xhamive, një prej të cilëve edhe imami i xhamisë në Unazën e Re në Tiranë, si edhe personat që po rekrutoheshin. Policia bllokoi në banesat e tyre edhe armë të tipit kallashnikov, edhe lëndë eksplozive të sasive të vogla. Policia ka kontrolluar edhe xhamitë.


 


Rekrutimi dhe luftimi


Genci Balla dhe Bujar Hysa janë organizatorët kryesorë të rekrutimit të shqiptarëve drejt Sirisë. Deri më tani grupi hetimor ka mundur që të dokumentojë rekrutimin e rreth 70 shqiptarëve drejt Sirisë. Ata kanë më shumë se një vit që merren vetëm me këtë çështje. Rrjeti i tyre është shumë i sofistikuar. Balla, i cili njihet me nofkën Abdurrahum, kishte hapur një shkollë në ambientet e xhamisë tek Unaza e Tiranës së Re. Fëmijët e tij e kishin braktisur shkollën, sepse koka e bandës, ishte për mosnjohjen e Komunitetit Mysliman, por ishte për sheriatin, ligjin dhe shtetin islamik. Roli i Bujar Hysës ishte që të predikonte idetë e Ballës. Ai punonte si mësues i xhamisë dhe përhapte idetë për luftën e Xhihadit, duke u thënë se personat që luftojnë në Siri, do të shkonin në parajsë nëse vdisni atje. Burimet thonë se shkolla frekuentohej nga një grup i vogël besimtarësh, të cilët quheshin “të besuarit”. Pasi bindeshin për të shkuar në Siri, Balla me pjesën tjetër të grupit nisnin negociatat për ta dërguar në luftë. Biletat e udhëtimit dhe shpenzimet e tjera përballoheshin nga Verdi Morava. Financuesi thuhet se bënte transferta, që kapnin sasi të konsiderueshme parash nga jashtë shtetit. Besohet se paratë vinin nga grupe terroriste të Turqisë dhe Sirisë, të cilat i dërgoheshin Moravës. Luftëtarët dërgoheshin nga Rinasi drejt Turqisë. Nisja e tyre bëhej në grupe të vogla 2-3 persona të cilët akomodoheshin në tri pika kontakti. Këtu bënin një stërvitje 2-3-javore nga ekspertë dhe më pas kalonin në Siri, për të luftuar kundër Asadit. “Të besuarit” ishin në dijeni të asaj që i priste në Siri dhe niseshin me vetëdije të plotë. Nga 70 personat e rekrutuar nga Balla, dyshohet se 8 prej tyre kanë gjetur vdekjen në luftë dhe asnjë prej luftëtarëve nuk është kthyer në Shqipëri. Ndërkaq për 6 personat e tjerë që janë shpallur në kërkim, besohet se bënin të njëjtën gjë në Kosovë dhe Maqedoni. Një pjesë e tyre shkonin si luftëtarë vullnetarë dhe një pjesë si mercenarë.


 


Organizatori


Prokuroria thotë se Balla ka kryer studimet e larta në Universitetin Islamik të Medinës (Arabi Saudite), ku mendohet se ka rënë në kontakt me dijetarë të linjës së ashpër tekfiriste, të cilët kanë ndikuar në indoktrinimin e thellë të tij dhe që më pas janë bërë burimi kryesor i frymëzimit të veprimtarisë së tij. Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës “tekfiriste”. Shtetasi Genci Balla është një ndër teologët më radikalë që propagandon islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për Xhihad luftarak në Siri. “Shtetasi Genci Balla së bashku me elementë të tjerë të sektit Selafi, drejtues të grupeve lokale, evidentohen në mënyrë të vazhduar si përgjegjësit kryesorë për dërgimin e shtetasve shqiptarë (burra, gra e fëmijë) për në Siri, ku shumë prej tyre janë trajnuar për luftë dhe indoktrinuar me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve xhihadiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, pohojnë burimet nga prokuroria.


Sipas tyre, thirrjet e tij për pjesëmarrjen në Xhihad të armatosur në Siri janë mbështetur nga disa elementë të rinj shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar në drejtim të Sirisë dhe dyshohet se u janë bashkuar grupeve xhihadiste. Ai mban predikime gjatë ditës së premte në xhaminë e Unazës së Re dhe thirrjet që ai bën lidhur me detyrimin për të marrë pjesë në Xhihad, mosnjohjen e demokracisë, mosnjohjen e shtetit, urrejtjen e shteteve perëndimore, mbrojtjen e personave dhe mbështetjen e atyre që luftojnë për Xhihad në Siri.


 


 


Akuzat ndaj Genci Ballës


• Prej disa vitesh (6 vjet) ushtron aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar/ligjëruar nga institucioni fetar i KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar).


• Nëpërmjet nxitjes së tij, një numër i konsiderueshëm besimtarësh shqiptarë, u janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri.


• Niveli i indoktrinimit tepër i lartë. Balla ka penguar shkollimin në shkollat publike të fëmijëve të tij dhe të lidhjeve të tij. Ka hapur një shkollë fetare në ambientet e xhamisë së Unazës së Re, ku fëmijëve u jepen vetëm mësime fetare dhe arabisht.


• Konkretisht ky shtetas implikohet në veprimtarinë kriminale në botimin e librit të fundit të përkthyer “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”, i shpërndarë në Shqipëri dhe jashtë saj.


• Nxit/predikon/indoktrinon ndjekësit e tij, për mosnjohjen e institucioneve të shtetit, por predikon për Sheriatin (ligj islamik).


 


 


Akuzat ndaj Bujar Hysës


Bujar Hysa ushtron aktivitetin e tij radikal – ekstremist islamik si imam i xhamisë së Mëzezit, ku dhe ka krijuar një rreth të ngushtë e të besuar besimtarësh.


• Është ndjekës i ideologjisë radikale tekfiriste të drejtuesit të xhamisë së Unazës së Re, Genci (Abdurrahim) Balla.


• Është element radikal-ekstremist islamik dhe predikon në ambiente fetare për mosnjohjen e institucioneve dhe ligjeve të shtetit.


• Predikon në mbështetje të vendosjes së ligjit islamik, Sheriatit.


• Ushtron aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar/ligjëruar nga institucioni fetar i KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar) në Xhaminë e Mëzezit, Tiranë.


• Hysa është aktiv në drejtim të përhapjes/nxitjes së urrejtjes ndërfetare, rekrutues, mbështetës dhe ndihmues, i një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë që i janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri.


• Hysa ka lidhje të ngushta me shtetasin Genci Balla dhe bashkëpunimi mes tyre dhe persona të tjerë, janë baza kryesore e indoktrinimit, rekrutimit, nxitjes dhe ndihmues për dërgimin nga radhët e besimtarëve në Siri.


• Dyshohet se kryen rolin indoktrinues të ideologjisë fetare ekstremiste, me fëmijë të moshave të vogla, të cilët ndjekin shkollën fetare pranë xhamisë në Unazë të Re. Hysa është mësues i lëndëve fetare për fëmijët.


• Bujar Hysa mban komunikime me individë me pikëpamje radikale brenda vendit, rajon dhe me personat që aktualisht gjenden përkrah grupeve ekstremiste në Siri


 


 


Prokuroria


 


Në Siri rekrutoheshin edhe gra dhe fëmijë


 


Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se në Siri janë rekrutuar edhe gra dhe fëmijë shqiptarë. Një nga fëmijët shqiptarë të rekrutuar është Endri Dumani, vetëm 6 vjeç dhe motra e tij Eva Dumani, që të dy rezultojnë dhe janë shpallur të humbur në fillim të muajit shkurt. Humbja e tyre është denoncuar në polici nga e ëma. Ata janë dërguar në Siri nga babai i tyre, Shkëlzen Dumani, i cili është i shpallur në kërkim si një prej gjashtë personave që kërkohen nga policia shqiptare. Të dy fëmijët, sipas dyshimeve, janë në Siri. “Largimi i tyre, – thotë një burim – është bërë në mënyrë të dyshimtë, pa firmën e së ëmës”.