Peçi: Do të inventarizojmë dosjet dhe nxjerrim faturën e kompensimit financiar
Qeveria do t’i kërkojë Gjykatës së Strasburgut shtyrjen e afatit për çështjet e ish-pronarëve që janë depozituar në këtë institucion. Kur afati i fundit i caktuar nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pronave është vetëm një muaj nga fundi, Avokatura e Shtetit po përgatit dokumentacionin për të kërkuar shtyrjen e tij pas datës 17 qershor. Ky fakt konfirmohet nga zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, në një intervistë për “Top Channel”. “Ne do të kërkojmë shtyrjen e afatit për aq sa është plani i veprimit, qershor 2015. Por edhe atëherë nuk është se mbaron kompensimi. Ne synojmë që atëherë të fillojë një proces transparent që t’i japë fund problemit, i cili ka nisur e s’ka mbaruar asnjëherë”, deklaron Peçi. Por çfarë parashikon plan-veprimi i qeverisë? “Ky plan ka piketë të parë inventarizimin e gjendjes aktuale, pa skanimin e së cilës ne nuk mund të kemi një ide të qartë se si t’i japim zgjidhje problemit. Të nxirren faturat e kompensimit, të gjejmë sa u kemi borxh qytetarëve. Piketë është dhe një reformë njëvjeçare, me hapa konkretë ligjorë e institucionalë. Ligji aktual krijon paqartësi, prandaj qytetarët shkojnë në Strasburg”, saktëson Peçi. Zëvendësministri bën të ditur se për shkak të precedentit të ngjashëm me çështjen e pronave, parashikohet që të zbatohet e njëjta formulë si në Rumani. “Vetë shteti ynë i ka kërkuar Gjykatës së Strasburgut që të reagojë. Kjo tregon që ka problem sistemi. Të njëjtën rrugë me atë të Rumanisë mund të ndjekim edhe ne dhe të jemi të sigurt se do t’ia arrijmë të shtyjmë afatin”, nënvizon Peçi. Ndërkohë që për penalizimin më të fundit prej 8 milionë eurosh të vendosur nga Gjykata e Strasburgut, zëvendësministri i Drejtësisë shton se i takon Ministrisë së Financave të ekzekutojë vendimin brenda afatit tremujor. Ndërsa për 60 çështje të ngjashme të kthyera nga Strasburgu, për të cilat i kërkohet Shqipërisë që të ofrojë propozimin e saj për zgjidhje përpara se të dalë me vendim, Peçi shprehet se po negociohet me palët. “Për shkak të dokumentacionit të negociatave nuk mund të shprehem, por të gjitha opsionet janë në tryezë”, shtoi numri dy i Drejtësisë. Qeveria ka dhënë alarmin për faturën e papërballueshme që jepet nëpërmjet vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Vetë zëvendësministri Peçi ka bërë të ditur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, se nëse vazhdohen të jepen vendime të tilla, atëherë rrezikohet falimentimi i shtetit shqiptar. Vendimet e Gjykatës së Strasburgut janë detyruese për shtetin shqiptar, në rast se ato nuk zbatohen atëherë qeveria penalizohet në institucionet ndërkombëtare.
[callout]Dosjet në AKKP
Votohet shtyrja e afatit, Rama: Po shmangim katrastrofën
Parlamenti votoi me 71 vota pro dhe një abstenim shtyrjen e afatit të shqyrtimit të ankesave dhe dosjeve nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave edhe për një vit. Demokratët u shprehën kundër kësaj nisme, duke theksuar se kjo shtyrje njëvjeçare nuk e zgjidh problemin. “Ky ligj ka vetëm një nen. Tregojuni qytetarëve, nuk thotë asnjë gjë për ju qytetarë që dëgjoni. Thuhet se do të zgjatet afati për një vit. A mbyllet për një vit ky proces? Nuk mbyllet”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë, deputeti i PD-së, Eduard Halimi. Por qëndrimit të PD-së i është kundërpërgjigjur vetë Kryeministri Rama, i cili ka akuzuar të djathtët për zvarritjen e këtij procesi. “Ne po shmangim atë që bëtë ju, që e çuat shtetin në prag katastrofe. Kjo do të bënte që pas qershorit, çdo çështje në Strasburg të ishte fituar automatikisht nga pronarët dhe të mos bëhej gjyq fare. Këtë e bëtë ju, jo ne. S’e keni çarë kokën fare. Ju bëtë një rrëmujë më të madhe se zyra e Saliut”, replikoi Kryeministri Edi Rama.[/callout]