Dosja
Prokuroria zbulon vrasjen e janarit 2013, rrëfimet dhe provat që zbuluan dy autorët
Mariglen Mullai

Viktima Agron Dervishi
Borxhi i pakthyer dhe përfitimi i pasurisë, për shkak të lidhjes dashurore me gruan e viktimës ishin dy shkaqet që një 30-vjeçar, bashkë me të vëllanë, para një viti kishin vrarë me pistoletë një 40-vjeçar. Në konkluzionet e prokurorisë, e cila e ka dërguar tashmë dosjen në gjykatë, rezulton se vrasja u zbulua nga krahasimi i një gëzhoje pistolete, ndërsa rrëfimi i bashkëshortes së viktimës, si dhe deklarimi i disa dëshmitarëve kishte konfirmuar autorësinë e dyshuar të dy vëllezërve Lala. Kështu, Prokuroria e Tiranës ka arritur të zbulojë se vrasja në fillim të janarit 2013, në Kashar, e cila fillimisht dukej si vrasje për grabitje, rezultoi se ishte një vrasje me paramendim për shkak se viktima, Agron Dervishi, u kishte një borxh të pakthyer autorëve të krimit, vëllezërve Abdyl dhe Antonio Lala. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim shtetasit Abdyl Lala (i njohur ndryshe si Aleks Totraku), 30 vjeç, personi me të cilin gruaja e viktimës kishin një lidhje jashtëmartesore dhe Antonio Lala, 27 vjeç, të cilët akuzohen se në mbrëmjen vonë të datës 1 janar 2013, në fshatin Mazrek, Komuna Kashar, në Tiranë, kanë vrarë me armë zjarri pistoletë Agron Dervishin, i cili sapo ishte kthyer nga Italia për të festuar me familjarët e tij festën e Vitit të Ri. Viktima po kthehej me furgon nga njerëzit e bashkëshortes, ku ishte për vizitë dhe është gjetur i vrarë me 3 plumba në kokë. Trupi i pajetë u gjet brenda furgonit, tip “Benz”, me targa italiane CY325SZ. Në vrasje dyshohet se ka ndikuar bashkëshortja, e cila u ka treguar autorëve, lëvizjet e të shoqit.
Vrasja

Njeri nga autoret e vrasjes, Antonio Lala
Në dosjen e prokurorisë thuhet se në mëngjesin e datës 2 janar 2013, Policia ka marrë njoftim se në fshatin Mazrek të Komunës Kashar është parë nga kalimtarë të rastit trupi i pajetë i një personi shumë pranë një automjeti, jashtë tij. Pasi janë kryer veprimet procedurale, rezultoi se viktima ishte shtetasi Agron Dervishi. Ai ishte goditur me 3 plumba arme zjarri, gëzhojat e të cilave u gjendën në vendin e ngjarjes. Nga ekspertiza e mëvonshme, rezultoi se dy predha ishin nga një pistoletë tip “Zastava” dhe një predhë ishte nga një pistoletë tip “TT”. Këto të dhëna krijuan dyshimet e arsyeshme se autorët e krimit mund të ishin dy persona. Ditën e ngjarjes, pas kontrollit të territorit rreth vendit të krimit, në një largësi rreth 40 metra nga viktima, e hedhur në ujë, u gjet edhe një armë tip “Zastava”, e cila rezultoi pas ekspertizës se ishte përdorur në këtë krim. U konstatua se viktimës i mungonte edhe portofoli, në të cilin, sipas deklarimeve të mëvonshme të familjarëve, rezultonte që kishte pasur rreth 500 euro. Fakti që mungonte portofoli, krijonte idenë fillestare se vrasja mund të ishte bërë për grabitje, e cila kishte përfunduar më pas me goditjen me armë zjarri me pasojë vdekjen e viktimës. Ky dyshim forcohej më tepër nga fakti që viktima jetonte në Itali dhe ato ditë gjendej në Shqipëri për të festuar Vitin e Ri pranë familjarëve.
Telefonata dhe hetimet
Ndërkohë që po zhvilloheshin hetime lidhur me këtë ngjarje, disa muaj më pas, e konkretisht më 8 nëntor 2013, policia merr njoftim se në shtëpinë e shtetasit Ramiz Lala, në Kamzë, djali i tij ka qëlluar me armë zjarri në ajër. U gjet një gëzhojë pistolete, e cila, pas krahasimeve, rezultonte se kishte përputhje të plotë me gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në rastin e vrasjes së shtetasit Agron Dervishi. Prokuroria rimori në pyetje familjarët e viktimës. Një prej tyre, i cili jeton në Itali, deklaron se, tre javë pas ngjarjes, është telefonuar nga dy persona nga Shqipëria, të panjohur për të, të cilët i kërkonin 15 mijë euro për t’i treguar se cilët ishin autorët e vrasjes së familjarit të tyre. Ai u ka dhënë bashkëbiseduesve 1.4 milionë lekë dhe ata i kanë deklaruar se autorët e vrasjes së Agron Dervishit janë shtetasit Abdyl Lala (Aleks Totraku) dhe Mirjan Lala (Antonio Lala). Këtë fakt, deklaruesi e ka bërë të ditur pasi është rithirrur në prokurori, pas zbulimit të gëzhojës së pistoletës në shtëpinë e vëllait të autorëve të dyshuar. Pra, gjatë hetimit, prokuroria krijoi dyshime që autorët e vrasjes ishin pjesëtarë të familjes Lala. Kjo, së pari nga gëzhoja e gjetur në shtëpinë e një prej vëllezërve Lala dhe së dyti, nga deklarimet e familjarit të viktimës, i cili deklaroi se kishte informacion mbi emra konkretë autorësh. Ndërkohë, prokuroria kontrolloi për hyrje-daljet nga Shqipëria të autorëve të dyshuar, të cilët jetonin në Zvicër. Rezultoi se Abdyl dhe Mirjan Lala kishin hyrë në Shqipëri më datë 29 dhjetor 2012 dhe Ademi kishte dalë nga Shqipëria në datë 5 janar 2013 pra, 4 ditë pas krimit, ndërsa Mirjan (Antonio) Lala kishte dalë nga Shqipëria rreth një muaj më vonë. Në vijim, prokuroria mori informacion mbi numrat e telefonave celularë që kanë pasur në përdorim në Shqipëri vëllezërit Lala, të cilët jetonin në Zvicër dhe vinin herë pas here në Shqipëri. Nga përgjigjet e kompanive celulare, rezultoi se më datën 1 janar 2013, telefonat që kanë pasur në përdorim autorët e dyshuar rezultonin se ishin në zonën ku ka ndodhur krimi, në kohën e krimit. Në këtë mënyrë, prokuroria krijoi bindjen e arsyeshme se vëllezërit Abdyl dhe Mirjan Lala ishin autorët e krimit.
Të dhëna
Lidhja
Nga hetimet e prokurorisë është mësuar se gruaja e Dervishit ishte në lidhje dashurie me 30-vjeçarin Abdyl Lala. Sipas prokurorisë, ajo e ka pohuar këtë fakt, nga marrja në pyetje. Përfitimi i pasurisë është një ndër shkaqet e vrasjes
Borxhi
Pasi u rimorën në pyetje familjarët e viktimës dhe autorëve, rezultoi se ndërmjet viktimës dhe autorëve kishte pasur një mosmarrëveshje, e cila kishte nisur në Itali, për shkak të një borxhi në shumë të konsiderueshme
Festa
Vëllezërit mësuan se Dervishi do të ishte në Shqipëri për të festuar ndërrimin e viteve dhe kanë marrë rrugën për në vendlindje, duke ndryshuar planet e tyre, pasi kishin menduar që Vitin e Ri ta festonin në një tjetër vend europian