Nju Jork
Premiera e “Sy për Konsuelën”, me skenografi të shqiptaro-amerikanit, në teatrin “Gene Frankel” në NYC
Shfaqja – “Sy për Konsuelën” (Eyes For Consuela), do të shfaqet nga 6 deri më 21 shkurt në teatrin “Gene Frankel”, 24 Bond Street, New York, NY 10012
Klara Buda
“Sy për Konsuelën”, është prodhim i kompanisë teatrore “White Horse Theater”, një kompani anëtare e Ligës së Teatrit të pavarur të Nju Jorkut që ka për zemër vënien në skenë të pjesëve me autorë amerikanë. “Sy për Konsuelën” është një dramë e vështirë për t’u vënë në skenë, pasi gjithçka shprehet në nivel metaforik. Kjo dramë ka katër personazhe dhe zhvillohet në peizazhin abstrakt të një qyteze meksikane. Ajo trajton dashurinë dhe sakrificat në emër të saj në disa nivele dhe disa plane, duke u futur në të gjitha kthinat e humbjes së saj dhe të ndarjes së dy njerëzve dikur të dashur. Autori Sam Shepard, përmes rrugëtimit të dy personazheve kryesore, një meksikan dhe një amerikan, sjell paralelisht dy botë: një Meksikë që ende ka një zemër, që ende ka një pasion të jashtëzakonshëm e një ndjenjë të fortë të familjes dhe një Amerikë që duket sikur i ka humbur të gjitha këto. Drama është e bazuar në një tregim të shkurtër të titulluar “Buqeta Blu” e shkrimtarit meksikan Oktavio Paz, laureat i çmimit “Nobel” në letërsi.
Regjia e realizuar nga Sindi Marion ngërthen shumë gjetje origjinale, të cilat megjithëse ngelen besnike të tekstit të dramaturgut të mirënjohur amerikan Sam Shepard dhe tregimit të Octavio Paz, i japin pjesës një dimension më të avancuar teatror.
Skenografia ishte mbresëlënëse dhe ishte e befasishme tek zbuloja si autor të saj një artist shqiptar, Andis Gjoni.
Skenografia e Andis Gjonit është një vlerë e shtuar e këtij projekti teatror. Zgjidhja skenografike është një lundër dhe kjo duket se simbolizon udhëtimin e personazhit kryesor nëpër tallazet e jetës.
Por sa thellë i shkon Andis Gjoni një vepre teatrale deri sa të kuptojë gjithçka i duhet për skenografinë e saj?
Së pari lexoj veprën dhe nëse kjo më frymëzon, pranoj që të realizoj skenografinë. Përshtypja e parë për mua është shumë e rëndësishme! Aty krijohen bazat e vizionit artistik të skenografisë që do të transmetohen te publiku në fund të procesit krijues. Pastaj vjen puna kërkimore për elementet skenografike, si epoka, karakteret, veshjet, zakonet, arkitektura etj. Secili prej këtyre ka rëndësi në përbërje të konceptit skenik. Studioj me imtësi të gjitha hollësitë dhe situatat që autori përshkruan. Lëvizjet e karaktereve, ndjesitë e tyre, vendosjet dhe zhvendosjet e figurave skenike, atmosferën e ngjarjes. Në këtë stad hedh disa skica të shpejta paraprake që do të më orientojnë në punën time. Vetëm pas kësaj vizitoj skenën e teatrit ku do të vihet pjesa teatrale. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi çdo teatër ka një jetë të vetën, ka një hapësirë shumë të veçantë, shumë të përcaktuar dhe të jep ndjesi hapësinore specifike. Përpiqem të imagjinoj se si do të qëndrojë krijimi im mbi atë skenë dhe e përfytyroj në formë tredimensionale. Kur bindem se çdo element është aty ku duhet në vizionin tim, vetëm atëherë ulem dhe e pikturoj të gjithë skenografinë. Më pas hedh skicat teknike me dimensionet e skenave dhe kështu i vjen radha realizimit.
A është ky një proces i vetmuar krijimi apo edhe vizioni i regjisorit hyn në lojë?
E vërtetë, është e rëndësishme që këto sfida të zgjidhen jo vetëm në përputhje me vizionin e autorit, por edhe të regjisorit e po ashtu edhe në përputhje me vizionin tim për pjesën. Të gjitha idetë dhe zgjidhjet i diskutoj me regjisorin dhe në fund dalim me një ide të përbashkët. Me kalimin e viteve, tani e kam më të lehtë të fokusohem në thelbin e një pjese dhe të arrij të përçoj saktë atmosferën dhe idenë e saj.
Çdo vënie në skenë është një lexim, perceptim në një dimension të ri. Cila është arsyeja e kësaj zgjedhjeje skenike që keni realizuar?
Mendova ta rrethoj të gjithë hapësirën skenike me një pikturë abstrakte-ekspresioniste të bazuar në vizionet e piktorit amerikan Xhekson Pollok, pasi e jepte më së miri idenë e një jetë të çoroditur, jashtë kontrollit, në situata të vështira, të humbura dhe me një luftë midis karakteresh me botëkuptime të ndryshme. Ajo krijon ndjesinë e një ëndrre që e përshkon gjithë pjesën, dhe mendoj se e ka arritur efektin. Në mes kam vendosur një lundër me drurët e ndërthurur që të japin idenë e një mjeti të paqëndrueshëm, ashtu si karakteret e kësaj pjese. Gjithashtu, hapësirat e ngushta i kufizojnë ata duke u marrë frymën ashtu si situatat në të cilat ndodhen personazhet. Ngjyrat e përpunuara të sfondit dhe të objekteve e japin më bukur idenë e një atmosfere xhungle. Të gjitha elementet janë menduar deri në hollësi, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Jam i kënaqur me këtë skenografi, sepse është nga ato herë që e ndiej që kam realizuar një shfaqje të plotë me të gjitha elementet.