Prokurimi
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka hapur tenderin për ndriçimin e rrugëve të qytetit
Pas Bashkisë së Vlorës, që dha me koncesion për afat shumëvjeçar parkimin e automjeteve pak muaj para zgjedhjeve, tashmë është Bashkia e Fierit ajo që ka njoftuar interesin e saj për të dhënë për shtatë vjet me koncesion përmirësimin e ndriçimit publik të rrugëve të këtij qyteti. Ky njoftim është bërë publik dy ditë më parë në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ku Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në Fier ka shpallur garën me objekt “Përmirësimi i shërbimit të ndriçimit rrugor në Bashkinë Fier, nëpërmjet një modeli të partneritetit publik – privat”, proces i cili pritet të realizohet më 1 qershor, pra vetëm tri javë para zgjedhjeve vendore.
Koncesioni i Bashkisë Fier
Në njoftimin e publikuar nga APP-ja, deklarohet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është shtatë vjet, duke nisur që nga data e lidhjes së kontratës. Gjithashtu, në njoftim sqarohet se sigurimi i ofertës duhet të jetë sa 2 për qind e vlerës së ofertës së propozuar dhe duhet të dorëzohet së bashku me ofertën. Si afat të fundit, për dorëzimin e ofertave është data 1 qershor 2015, ora 11:00. Kjo është kontrata e dytë koncesionare nëpërmjet partneritetit publik-privat që jepet nga Bashkia e Fierit. Pak vite më parë, ajo ka dhënë me koncesion edhe parkingjet e automjeteve në qytetin myzeqar.
Koncesionet e fundmandateve
Por, hapja e procedurave për këtë koncesion ka sjellë shqetësim te të gjithë, të cilët kanë mbetur të shtangur dhe pritet që një proces i tillë të anulohet, megjithëse nuk është rasti i vetëm që po vihet re këtë vit. Një prej këtyre rasteve ishte edhe ai i Bashkisë së Vlorës, i cili vetëm pak muaj para zgjedhjeve vendore ka dhënë me koncesion parkimet në qytet. Për Vlorën ka reaguar fuqishëm edhe opozita, e cila kërkoi anulimin e tenderëve të rëndësishëm në fund të mandateve, ku një ndër to është ai i Bashkisë së Vlorës, që ka dhënë me koncesion për 15 vite menaxhimin e parkimit në gjithë qytetin bregdetar. Sipas kontratës, ky koncesion është fituar nga shoqëria “TIS HOLDING LLC + ON TRACK INNOVATIONS” me qendër në SHBA, ndërkohë që Bashkia e Fierit, ende nuk e ka realizuar një tender të tillë, që pritet të kryhet më 1 qershor. Në rastin e Vlorës, gjithçka është zhvilluar në heshtje të plotë, ashtu siç u tentua të kryhet edhe në rastin e Fierit. Megjithatë, mazhoranca ka deklaruar se menjëherë pas zgjedhjeve vendore do të rishikohen këto koncesione dhe do të bëhet anulimi i tyre, sidomos për rastin e Vlorës. Megjithatë, duhet theksuar se anulimi i koncesioneve të ndryshme është kryer edhe më parë nga qeveria, si e kaluara, ashtu edhe ajo e sotmja, por u ka kushtuar shumë taksapaguesve shqiptarë. Një nga koncesionet e anuluara ka qenë edhe ai me CEZ Shpërndarjen, ndërkohë që aktualisht shteti ynë ndodhet në arbitrazh me “Rapid Scan”, kompani e cila kishte fituar të drejtën e skanimit në doganat shqiptare, koncesion i cili u anuluara nga mazhoranca aktuale.