raporti per zgjedhjet_1“Dhoma Zgjedhore” cilëson 6 kandidatë me të shkuar kriminale, 4 janë fitues


11 bashkitë e riskut – Vorë, Kamzë, Krujë, Kavajë, Durrës, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Kurbin, Pogradec, Sarandë dhe Fier


6 të inkriminuar – Janë gjashtë kandidatë janë në listën e zezë si të inkriminuar. Katër kanë shanse të zgjidhen si kryebashkiakë, ndërsa pesë janë në zonat e riskut


Shtatë organizata që po monitorojnë zgjedhjet përcaktojnë 11 zona me potencial të rrezikut të lartë më 21 qershor. Dhoma Zgjedhore, që përmban 7 OJF-të për monitorimin e zgjedhjeve ka nxjerrë disa konkluzione mbi procesin e deritanishëm zgjedhor, dy ditë para se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Përfaqësuesi i Instituti i Studimeve Politike (ISP), Afrim Krasniqi, u shpreh dje se janë evidentuar 11 njësi administrative me potencial të lartë rreziku për tensione gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave. “Më konkretisht ekziston risku që në bashkitë Vorë, Kamzë, Krujë, Kavajë, Durrës, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Kurbin, Pogradec, Sarandë dhe Fier, gara mes kandidatëve të jetë tejet e tensionuar. Për këtë arsye i bëjmë thirrje medias dhe shoqërisë civile që të mbajnë nën monitorim të plotë këto zona. Në anën tjetër u bëjmë thirrje partive politike që të luajnë një rol konstruktiv në këto zona dhe të mos lejojnë që situata të precipitojë”, theksoi Krasniqi. Një tjetër shqetësim mbetet kandidimi i personave me rekorde kriminale. Pavarësisht se partitë politike shprehen se nuk kanë asnjë kandidat për kryetar bashkie Dhoma Zgjedhore ndau mendim të kundërtën madje duke dhënë alarmin se katër prej tyre mund të jenë dhe si fitues. “Është folur shumë për kandidatë të inkriminuar. E them zyrtarisht me aq sa di unë e kam informacion, 6 prej tyre janë në garë dhe 4 kanë potencial për të fituar, dhe 5 prej tyre ndodhen në zonat e riskut të madh elektoral. Ky është problem i madh, që lidhet me produktin që ne do kemi dhe atë problematikë që do të përballojnë në të ardhmen”, theksoi Krasniqi.


Problemet e tjera


Në platformën Za’Lart janë raportuar nga qytetarët, deri në datën 17 qershor 230 raste me problematika zgjedhore nga të gjitha bashkitë e vendit. Numri më i lartë i shkeljeve është raportuar në Tiranë e pasuar nga Shkodra. Në 104 raste është raportuar keqpërdorimi i administratës publike në mbështetje të fushatës elektorale të një kandidati apo subjekti politik. Rastet e denoncuara konsistojnë kryesisht në presionin për të siguruar vota kundrejt sigurisë për vendin e punës, përdorimin e shkollave dhe spitaleve publike për takime të karakterit elektoral, mobilizimin e administratës publike për të marrë pjesë në mitingje elektorale, si dhe ndërhyrje të parregullta të Policisë së Shtetit në fushatën zgjedhore. Qytetarët gjithashtu kanë raportuar 27 raste të përdorimit të fëmijëve, nxënësve dhe shkollave të tyre në funksion të fushatës elektorale të kandidatëve apo subjekteve të caktuara politike. Shqetësues janë rastet e raportuara ku vullneti i qytetarëve është synuar të ndryshohet përmes ushtrimit të dhunës, apo përmes përpjekjes për blerjen e votës. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre raportimeve është shoqëruar me fotografi dhe video. Gjithashtu, redaksia e Za’ Lart ka arritur të kryejë verifikimin në terren të pjesës më të madhe të problemeve të raportuara. Ndërsa Instituti i Zhvillimit të Sistemit të Zgjedhjeve (INSIZ) duke monitoruar veprimtarinë e Komisionit Qendror Zgjedhor ka konstatuar se, deri në këtë moment, në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, ky komision ka shënuar përmirësim në administrimin e procesit zgjedhor. Megjithatë, tërheqim vëmendjen për mosndëshkimin e partive në rastet kur ato e kanë zhvilluar fushatën jashtë afateve të parashikuara në legjislacionin zgjedhor. Së dyti, është konstatuar se KQZ ka përdorur dy standarde për sa i përket pranimit të dorëheqjes së kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje.