Edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar operistik “Marie Kraja” rikthehet më 30-31 tetor në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit
Festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja” rikthehet në datat 30-31 tetor në edicionin e tij të 15-të. Për dy ditë rresht Tirana do të kthehet në kryeqendrën e muzikës klasike. 14 këngëtarë nga 4 kontinente janë përzgjedhur mes 172 këngëtarëve lirikë që aplikuan për të marrë pjesë në këtë edicion nga juritë e vendosura në Milano, Vjenë, Bruksel dhe Tiranë. Shqipëri prezantohet këtë vit me dy konkurrentë me Armando Likaj dhe Enkeleda Kamanin. Të huajt janë Anna Stylianaki( Greqi), Anna Werle(Gjermani), Daniele Centra(Itali), Elizabeth Bailey( Angli), Emrah Sozer (Turqi), Federica Vitali (Itali), Hector Angel Garcia (Spanjë), Héloïse Koempgen Bramy (Francë), Kyungho Kim(Korea e Jugut), Maria Helienek (Austri), Timofey Kryukov(Rusi), Yauci Yanes Ortega (Spanjë). Sipas organizatorëve, një ndër të rejat e festivalit është dhe imazhi me të cilin do të prezantohet. Një vajzë e re, me një freski delikate ashtu si tingujt e perlave muzikore, e që sheh drejt perspektivës. Ky i imazh, shfaq së jashtmi atë çka do të jetë ky edicionin e 15-të, një Festivali për yjet e reja të skenës, që vjen plot jetë dhe vitalitet, por dhe me brishtësinë e arieve. Më datë 29 tetor, këngëtaret do të konkurrojnë vetëm përpara jurisë me një repertor të përzgjedhur dhe më profesional ariesh. Ndërsa me datat 30 dhe 31 tetor, do të vijojë me dy kompeticione, te inkuadruara njëkohësisht gjatë netëve të festivalit: “Gara e arieve” ariet-margaritarë të operave dhe “Gara e këngëve”-me repertorin më të famshëm të legjendave të këngës botërore. Këto dy kompeticione, do të shoqërohen nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë përvjetor, producentja dhe drejtoresha artistike, Zana Çela, u ka besuar sërish artistëve ndër më të mirët të skenës, mjeshtrit Pali Kuke në regji, Robert Radoja si drejtor muzikor, Bashkim Zahaj për skenografinë dhe për të disatin vit me radhë dirigjentit italian, Leonadro Quadrini. Prej 15 vjetësh, kryeqyteti ynë ka qenë mikpritësi i këtij festivali, që çdo vit e më shumë është konsideruar, si një pikë takimi i protagonistëve kryesorë të operave botërore. Nga njëra anë pjesëmarrësit nga të pesë kontinentet; që e shikojnë prezantimin në këtë festival si një moment promovimi në karrierat e tyre operistike dhe nga ana tjetër; personalitete të rëndësishme nga bota e operës, që do të seleksionojnë fituesit e këtij edicioni. Edhe pse organizatorët po përpiqen ta mbajnë surprizë, në fund të tetorit, pritet të vijnë në Tiranë personalitetet ndër më të rëndësishmit në fushën operistike botërore, që do të jenë dhe këtë vit pjesë e jurisë ndërkombëtare. Drejtues operash nga më prestigjiozet europiane, dirigjentë dhe menaxher arti, kanë rezervuar tashmë një biletë për festivalin ndërkombëtar “Marie Kraja”. Sigurisht pjesëmarrja e figurave të mëdha të botës operistike, në këto 15 vite festival, ka qenë një nxitje e madhe për konkurrentët që shikojnë te këto personalitete mundësinë për të firmosur kontrata për kryerole në skena botërore. Duke rritur kështu nivelin e paraqitjeve të tyre skenike dhe vokale dhe duke i atribuuar një status internacional, që në edicionin e dytë. 300 soprano, tenorë, baritonë, mezzosoprano dhe bass kanë marrë pjesë gjatë 15 edicioneve të festivalit operistik. Gjeografia e këtij festivali në vite përfshin të gjitha kontinentet. Kandidatët e fazës së parë arrijnë deri në 1460 konkurrentë. 40 fitues kanë lënë emrat e tyre në historinë e festivalit. Edicionet kanë shtuar edhe çmimet e karrierës në mirënjohje për personalitete të artit operistik shqiptar. 28 soprano, 6 tenorë, 5 bas, 8 baritonë dhe 1 mezzosoprano kanë ndarë çmimet e festivalit në 15 vjet. 122 personalitete të shquara të skenës ndërkombëtare operistike, drejtorë operash kombëtare në botë, drejtues agjencish ndërkombëtare operistike, dirigjentë, regjisorë, kompozitorë, producentë, profesorë dhe këngëtarë lirikë në karrierë, kanë marrë pjesë në juritë e të gjitha edicioneve. Këtë vit edicioni i 15-të, i festivalit ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”, vjen në bashkëpunim ne Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe do të transmetohet prime-time në platformën “Digitalb”, në kanalin “T”.