Sopranoja 24-vjeçare Enkeleda Kamani fiton çmimin e madh në edicionin e 15 të Festivalit Ndërkombëtar Operistik


enkeleda kamani_1Enkeleda Kamani, sopranoja e re 24-vjeçare, është fituesja e edicionit të 15 të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, duke bërë që çmimi i madh i këtij festivali të qëndrojë në Tiranë. Përgjatë dy netëve, skena e Teatrit të Operës dhe Baletit u kthye në një arenë ku u interpretuan kryevepra të muzikës operistike. Nata finale i ngjasoi një mbrëmjeje të vërtetë yjesh. Nën moderimin e drejtoreshës së këtij festivali, Zana Çela, tetë këngëtarët finalistë u ngjitën në skenë duke dhënë performanca tepër të arrira.


 


Juria


maria kraja_1Juria ndërkombëtare e kryesuar nga Stephen Langride, drejtor i Operës së Godeborgut, Suedi, vlerësoi si zërin më të mirë të këtij edicioni sopranon shqiptare, Enkeleda Kamani. Në vendin e dytë u rendit Elisabeth Bailey, sopranoja nga Anglia. Ndërsa çmimi i tretë shkoi për dy konkurrente, Anna Stylianaki nga Greqia dhe Federica Vitali nga Italia.


Ndërkohë, për garën e këngës, çmimin e së cilës e zgjedh orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, çmimi shkoi për tenorin spanjoll Hector Grasia. Këngëtarët finalistë në mbrëmjen finale e patën garën e parë para publikut me arie. Nën dirigjimin e Leonadro Quatrini dhe shoqërimin e instrumentistëve virtuozë të Orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit, tetë finalistët sollën për publikun një udhëtim unik nëpër operat më të famshme të tre shekujve. Arie si ajo e Salome nga Heroidate, Cavaradosit nga “Toska”, aria e Nemorinos “Eliziri i dashurisë”, aria e Berberit nga “Berberi i Seviljes”, vibruan në sallë duke emocionuar spektatorët.


 


Këngët legjendë


Por në skenë nuk munguan edhe emocionet nga këngët legjendë. Këngëtarët bënë një udhëtim përmes këngëve nëpër botë, duke sjellë këngë si “Mbrëmjet e Moskës, “La vie en rose”, magjinë e zarzuelave spanjolle apo dhe alegrinë e këngëve napoletane me “O surdato namurato”.


Një performancë interesante gjatë natës finale ishte dhe interpretimi i valsit të famshëm “Waltz with me”, nga producentja Zana Çela, përkrah tenorit Kastriot Tusha, shoqëruar nga konkurrentët.


Në dy net festivali solli në Tiranë jo vetëm ariet margaritarë dhe këngët më famshme të repertorit botëror, por edhe yjet e rinj të skenës operistike. Për dy net, edicioni i 15 i këtij festivali e bëri publikun shqiptar të shijojë magjinë e muzikës më të mirë botërore, duke mbushur përplot sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.


 


Çmimet


Çmimi i parë: Enkeleda Kamani nga Shqipëria


Çmimi i dytë: Elisabeth Bailey nga Anglia


Çmimi i tretë: Anna Stylianaki nga Greqia dhe Federica Vitali nga Italia