Salloni i artistëve bashkëkohorë shqiptarë/ 14 artistë sjellin performancat e tyre artistike në një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar



artistetSi mund të jetojmë të tashmen, duke parë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen? Driant Zeneli, një nga artistët shqiptarë që ka zgjedhur ta ndërtojë karrierën e tij artistike në terrene të tjera kulturore jashtë Shqipërisë, kërkon t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje në performancën “Atelia”, pjesë e ekspozitës “Salloni i artistëve bashkëkohorë shqiptarë” që u hap tri ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Një kënd në cep të hapësirës së kësaj ekspozite është shndërruar në një atelie të zakonshme arti. Muri i mbushur me vizatime, artistë të rinj të shkujdesur në gjendje krijimi që enden në të, tavolina e punës, gazeta të vendosura mbi dysheme, karrige… të krijojnë idenë që je futur në një atelie arti. Një atelie që sigurisht nuk ngjan me studiot e dikurshme të piktorëve para viteve ’90, por mbart gjithë energjinë e çastit të krijimit, në kontekstin e kohërave të sotme. Një provokim estetik, që parë në kontekstin që artisti e ka krijuar, të bën të përfytyrosh hapësirën së cilës ai ia dedikon energjinë. Zeneli ka zgjedhur këtë qasje, i ndikuar nga vetë vendi ku po mbahet kjo ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar. Në ballinë të kësaj ndërtese, mozaiku “Shqipëria” i realizuar në vitin 1981 nga artistët Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini e ka grishur gjithnjë. “Historia është si një mbretëri, pjesërisht e bazuar në dokumentacion, pjesërisht nga kujtesa dhe në fund e sunduar nga dëshira. Si mund ta jetojmë të tashmen duke parë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen?”, pyet ai në hyrje të tekstit konceptual të kësaj pune. “Mozaiku paraqet një skenë masive me luftëtarë, burra e gra, që nga ilirët me harqe e pazmore, te partizanët me pushkë në dorë deri në vitet e socializmit. Në vitet e para të demokracisë, mbas rënies së komunizmit më 1991, flamurit në qendër të mozaikut iu hoq ylli me pesë cepa. Kjo vepër gjatë këtyre viteve për vetë përmbajtjen e saj, është pranuar si dëshmi që shpreh më së miri të shkuarën dhe mendimin e një periudhe të caktuar”, thotë Zeneli. Duke marrë shtysë nga imazhi i mozaikut “Shqipëria”, më i madhi i këtij lloji në Shqipëri, ai vendosi ta kthejë hapësirën ekspozuese të Muzeut Historik Kombëtar në një atelie të përkohshme performuese, duke ftuar kështu për bashkëpunim dhe diskutim, studentë nga Liceu Artistik “Jordan Misja” Tiranë dhe Universiteti i Arteve, të marrë nga degë të ndryshme, si artet vizuale, teatri, muzika, koreografia, regjia, etj. “Ideja është t’i përfshija ata në një proces praktik dhe eksperimental me tentativën që si mund të krijojmë imazh të Shqipërisë bashkëkohore”, thotë Zeneli. Shqipëria e tij bashkëkohore merr imazhe fantastike në këtë atelie të vogël, por që nuk fsheh dëshirën për të ndryshuar. Zeneli e sheh në ndryshim vendin e tij, si një atelie ku po zhvillohet imazhi i së ardhmes, një imazh që ka brenda gjithë elementet e artit duke nisur nga ngjyrat, muzika, apo koreografia. Artistja Yllka Gjollesha prezantohet me veprën “Mute” në këtë ekspozitë. Në videon e saj, një orkestër po luan një vepër të rëndësishme simfonike dhe shikuesi papritur gjendet befasisht vetëm përpara veprimit, gjesteve dhe dinamikës vizuale të kësaj skene të “cunguar”. “Kështu, emocioni normal para një vepre simfonike shfaqet i tjetërsuar në sytë e tyre. Dirigjenti dhe orkestrantët janë vetëm, jashtë tyre është një botë tjetër! Kjo botë me ‘audion’ e saj krejt të ndryshme dhe rastësore (zhurmat e zakonshme të një salle ekspozite në këtë rast) udhëton paralelisht me imazhin dinamik e ‘memec’ të orkestrës në prova, duke krijuar një lojë spontane ku nuk mund të përcaktohet saktë nëse imazhi është në funksion të audios apo është e kundërta dhe, kësisoj, i mundëson publikut krijimin e një marrëdhënieje personale me imazhin”, shpjegon ajo në tekstin konceptual. Kjo punë e vendos publikun ndërmjet marrëdhënies së dy realiteteve të kundërt, të cilët “epohen” çuditshëm te njeri-tjetri, për të zgjuar tek ai kuriozitetin dhe imagjinatën e një realiteti të ri audio-viziv. Video-instalimi, nëpërmjet kësaj gjetje sa të thjeshtë aq edhe interesante e të papritur, e bën vetiu shikuesin pjesë të veprës, duke ia rritur dimensionet dhe duke nxitur tek ai ndjesi krejt personale dhe të pavarura. Secili prej tyre “dëgjon” muzikën e tij dhe i jep veprës fytyrën që i shkon më shumë për shtat. “‘Mute’ është një opsion i thjeshtë që teknologjia na e sjell në një buton të telekomandës. Funksioni saj është heqja e plotë e audios. Ky gjest i thjeshtë për këdo dhe i menjëhershëm ndan imazhin prej zërit dhe e shpërfaq qartë veçorinë e tij, tashmë të pazëshme. Kështu imazhi fiton një status tjetër, duke ndryshuar njëherazi edhe perceptimin e shikuesit ndaj tij”, thotë Gjollesha. Enkelejd Zonja, prezantohet me punën “Vizitë në plagë”, një vepër ku shihet përpjekja e artit për të jetuar me të shkuarën. Me shallin e pionierit në qafë, gati i zhveshur një djalosh i ri rri i gjunjëzuar i rrethuar nga personazhe të së shkuarës. Personazhe dhe histori që duket që e shoqërojnë shpesh artistin, si atëherë kur vizitonte Muzeun Uffici në Firence dhe teksa ecte në dhomat e errëta, me mendje fluturon larg në fëmijëri kur ishte dhjetë vjeç dhe endej në një fshat fushash. E shkuara vjen si gjendje në pjesën më të madhe të veprave në këtë ekspozitë, ku prezantohen 14 artistë nga skena e artit bashkëkohor në vend. Endri Dani, Klodian Deda, Arbër Elezi, Yllka Gjollesha, Ilir Kaso, Greta Pllana, Leonard Qylafi, Gentian Shkurti, Marina Sula, Ermela Teli, Driant Zeneli, Fani Zguro, Enkelejd Zonja, vijnë si të përzgjedhurit e një jurie ndërkombëtare e përbërë nga Christine Macel, kryekuratore në Qendrën Pompidou; Alicia Knock, kuratore në Qendrën Pompidou, si dhe artisti francez Saâdane Afif. Sipas tyre “kjo përzgjedhje reflekton gjallërinë dhe diversitetin e skenës artistike shqiptare dhe prezanton bashkësinë e praktikave aktuale, nga piktura te vizatimi, nga instalacioni tek videoja dhe filmi”. Arbër Elezi sjell një instalcion, i cili evokon mbi ndjeshmërinë sociale. Ca shkallë të mëdha në një kënd të Muzeut mbushur me flokë, shoqëruar me një shprehje në italisht, e cila në thelb tregon se sasia e ndryshon cilësinë. Elezi tregon se ka përdorur material biologjik, nën shembullin se të gjithë bashkë mund ta ndryshojmë situatën. Nën ombrellën e Ambasadës së Francës në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, kjo ekspozitë është një ftesë për të parë atë një situatë të artit bashkëkohor në vend, në kushtet ku hapësirat për këtë art vazhdojnë të jenë të limituara. Një ekspozitë e cila krijon një gjendje e cila mund të qëndronte shumë mirë në çdo galeri ndërkombëtare. Pavarësisht se pjesa më e madhe e veprave evokojnë të shkuarën, të vendosura në një kontekst ndërkombëtar, gjuha e tyre mund të ndihet nga çdo shikues, pavarësisht nga vjen. Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor, po shoqërohet dhe me diskutime me artistët. Dje artistja Marina Sula ishte në një bashkëbisedim me kuratoren Joël Riff, me temën “Të jesh kureshtar”. Sot (3 nëntor) do të jenë dy artistët Endrri Dani dhe Ilir Kaso në një diskutim mbi veprat që kanë realizuar. Ndërsa më 4 nëntor, artisti Leonard Qylafi do të flasë para publikut. Më 7 nëntor, kuratori Jean-Roch Bouiller do të jetë në një bashkëbisedim me artistin Driant Zeneli. Përmes këtyre diskutimeve, jo vetëm depërtohet më tej në veprat e artistëve pjesëmarrës, por dhe hidhen teza e ide mbi atë çfarë ndodh sot me artin bashkëkohor.