Shamku: Skënderbeu i parë thjesht si një hero, i janë mohuar vlerat e tjera gjatë socializmit
Në oborrin e Skënderbeut në Lezhë luhej muzikë flamengoje. Profesor Matteo Mandala, në një postim në “Facebook” më 17 janar, ditën e 548-vjetorit të vdekjes së heroit tonë, informon se muzikologu italian, Ivano Cavallini, i cili është dhe miku i tij, i ka treguar se “trombetisti venecian i quajtur Xorxi (Giorgio / Gjergj) kishte pasur nderin të performonte muzikë flamengoje në oborrin mbretëror të Gjergj Kastriotit në Lezhë (në versionin anglez emri i qytetit është transkriptuar Lesha). “Duket se koncerti pati sukses dhe muzikanti saktëson se kishte marrë nga princi shqiptar një shumë të madhe parash, të cilën nuk e kishte marrë asnjëherë deri tani. Kësisoj, përveçse një strateg dhe organizator i jetës sociale, frymëzues i marrëdhënieve diplomatike, ishte edhe një kultivues i muzikës dhe organizonte koncerte në Lezhën e tij. Një lajm shumë i bukur në ditën përkujtimore të tij”, shkruan Mandala. Për Ledi Shamkun ky është një lajm veçanërisht i bukur, por na bën ta shohim ndryshe dhe mënyrën sesi e kemi parë historinë deri tani. “Mësojmë nga lajmi se Gjergj Kastrioti financon muzikën flamengo të luajtur në muret e Lezhës arbënore. Sigurisht, reagimi i parë që na vjen vetiu është i kithët me atë çka historiografia zyrtare e kohës së Realsocit na ka paraqitur deri më tash. I përdorur fort për qëllime nacionaliste, Heroi ynë Kombëtar na është paraqitur nga kjo historiografi thjesht e vetëm në aspektin e tij luftarak kërcënor, i pleksur veç me brirë dhish e me pusi ndaj armikut. Shkapërcyes gërxhesh dhe i vrazhdë. Gjergji ishte princ dhe aspekti i tij fisnik e princëror nuk i shkonte fort për shtat zhgunit bajato-nacionalist të regjimit, i cili thurej mbi të ashtuquajturin ‘mit të vegjëlisë'”, thotë Shamku. Sipas saj, nga njoftime si ky del në pah aspekti fisnik e i kultivuar i Skënderbeut, si kultivues muzike e madje edhe mecenat i saj, njëlloj si bashkëkohësit e tij në Europë. “Përcaktohet në këtë njoftim se përzgjedhja dhe mecenatizmi i Gjergjit shkoi pikërisht për muzikën flamengo, e kjo për figurën e tij do të thotë ende më shumë. Pse pikërisht muzikën flamengo? Në kohën kur Gjergj Kastrioti bën këtë përzgjedhje, jemi në gjysmën e katërqindës, pikërisht në kohën kur arti i flamengos (e në radhë të parë muzika flamengo) është në kulmin e shkëlqimit të vet, bëhet pararoja e arteve europiane, e madje i revolucionarizon ato”, thotë Shamku. Sipas saj, “princi arbënor Gjergj Kastrioti nuk ishte thjesht një fisnik shijehollë e mecenat i artit, por edhe një përhapës e mbështetës i pararojës muzikore, i më të mirës bashkëkohore, këtu në dheun e Arbnit”.