Ministri i Jashtem Ditmir Bushati_1Nën kujdesin e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe zyrën e OKB-së në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashtme organizoi sot ceremoninë e përvitshme të Ditës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.


Në këtë aktivitet morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.


Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, ministri Bushati e vuri theksin në rëndësinë e përkujtimit të Holokaustit si tregues jo vetëm i respektit sublim ndaj atyre që humbën jetën, por edhe i mirënjohjes ndaj paraardhësve tanë, të cilët dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj vlerave më të larta njerëzore.


Duke marrë fjalën në panelin e konferencës, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi u ndal në vlerën e bashkëjetesës fetare të shoqërisë sonë si shembull frymëzues i tolerancës në botë, si dhe rëndësinë qe ka edukimi i brezave të rinj në njohjen e kësaj të shkuare të errët të njerëzimit. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, solli dëshminë e familjes së tij në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.


Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Tiranë, Brian William vlerësoi shembullin shqiptar të shpëtimit të hebrenjve dhe të tolerancës ndërfetare, sidomos në ditët e sotme kur bota rrezikohet nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.


“Pas pushtimit gjerman në vitin 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat e okupatorit për të dorëzuar hebrenjtë të cilët jetonin brenda kufijve të vendit, madje u kthye në një vend të shenjtë për refugjatët hebrenj që kishin ardhur në Shqipëri. Ndihma e jashtëzakonshme dhënë hebrenjve u bazua tek Besa, një kod nderi, i cili ende sot shërben si kodi më i lartë etik në vend”. U shpreh në fjalën e tij Ambasadori i Izraelit Boaz Rodkin.


Gjithashtu, Ambasadori i Izraelit i akordoi, në emër të Shtetit të Izraelit, medaljen e mirënjohjes Rexhep Hoxhës, për kontributin që familja e tij ka dhënë në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.


27 janar 2016 (gazeta-Shqiup.com)