Një baba i dy fëmijëve u vra në një aksident të tmerrshëm në palestër. Ronald Montenegro, 55 vjeç, vdiq kur një shtangë e rëndë i rrëshqiti nga dora dhe e goditi në gjoks gjatë një seance ngritjeje peshash. 55 vjeçari, arriti të çlirohej nga pesha e rëndë ndërsa stafi i palestrës dhe përdorues të tjerë nxituan ta ndihmonin. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.

Drejtori i muzeut, Ronald, ishte shumë i dashur nga komuniteti i Olindës në Brazil, ku ai ishte një nga burrat përgjegjës për karnavalin vjetor të qytetit. Ai ishte president i muzeut Palacio dos Bonecos Gigantes të qytetit, ku ndodhen kukulla prej letre-mache dhe cope, 4.5 metra të larta.

Në një homazh prekës, muzeu tha: “Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Ronald Montenegro, presidentit tonë dhe një figure të domosdoshme në historinë dhe ndërtimin e Palacio dos Bonecos. Nga respekti për kujtimin e tij dhe zinë e të gjithë familjes dhe ekipit të tij, ju informojmë se aktivitetet e Palacio dos Bonecos do të pezullohen.”

“Ne e vlerësojmë mirëkuptimin e të gjithëve dhe ju kërkojmë të bashkoheni me ne në lutje dhe homazh për këtë njeri të madh që la një trashëgimi të përjetshme në kulturën dhe traditën e karnavalit të Olindës.” Incidenti tragjik ndodhi pranë qytetit të Recife në bregdetin verilindor të Brazilit. Policia hapi një hetim por tashmë ka arritur në përfundimin se ishte një aksident.