Ligji i shumëdebatuar për “Barazinë Gjinore” do të hyjë në fuqi pa dekretin e Presidentit. Afati kushtetues që Begaj të firmoste ka mbaruar, duke bërë që kreu i shtetit ta kalojë në heshtje një prej ligjeve që ka shkaktuar debatet më të mëdha javët e fundit.

Ky vendim i Presidentit që duket si një “abstenim” i Begajt për ligjin vjen pasi një grup qytetarësh dhe aktivistësh i kërkuan përmes protestave edhe pasi Kuvendi e miratoi që të mos e dekretonte. Kthimin mbrapsht të ligjit ia kërkoi edhe opozita, përmes një letre të firmosur nga 12 gra deputete që e konsideroi draftin e miratuar si antikushtetues dhe që cenon të drejtat e njeriut, me qëllim kryesor shkatërrimin e familjes.

Ligji u kundërshtua nga komunitetet fetare dhe shoqata “Pro familjes”, ndërsa përfaqësitë ndërkombëtare në Tiranë dhe shumë organizata të shoqërisë civile që advokojnë barazinë gjinore e përshëndeten nismën e qeverisë shqiptare. Më 6 nëntor Kuvendi miratoi me 77 vota pro të mazhorancës draftin “Për barazinë gjinore”, ndërsa kundër votuan 36 deputetë të opozitës dhe nuk pati asnjë abstenim.

Në parim sipas mazhorancës që e propozoi dhe miratoi, ligji është i standardeve më të larta, garanton barazi mes burrit e gruas dhe ndalon diskriminimin me bazë përkatësinë gjinore, në fushë sociale, politike apo ekonomike. Pra heq të gjitha dallimet, përjashtimet, kufizimet me bazë gjinore dhe mos njohje të të drejtave të një gjinie të caktuar.

Por termi që i çoi në pozicione krejtësisht të kundërta palët dhe krijoi ndarjen e madhe ishte kuptimi i gjinisë.

Gjinia, në nenin 4 pika “ë” të ligjit të miratuar, përkufizohet “Gjinia nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë”.

Pra gjinia si kontekst social dhe jo e lindur si sinonim i seksit. Me këtë koncept duket sikur lihet jashtë realiteti biologjik dhe bazohet në sjellje. Kjo sipas kundërshtuesve të këtij ligji, kryesisht opozitës, lë hapësira që në të ardhmen të shtohen gjini të tjera, disa thonë deri në 72 e të tjerë edhe më shumë. Por qeveria thotë se ligji e ka të qartë konceptin binar të gjinisë: vetëm burrë dhe grua.

Një tjetër term që ka ndarë është ai i përkatësisë së shumëfishtë gjinore, që në ligj shpjegohet si “Ndërlidhja dhe kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”