Mbi 16 këngëtare femra në botë kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm; secila prej tyre ka një këngë që ka kaluar një miliard dëgjime në Spotify. Por vetëm gjysma e tyre ia kanë dalë ta arrijnë këtë shifër marramendëse me më shumë se një këngë. Në fillim të vitit 2023, Taylor Swift nuk kishte asnjë këngë që kishte tejkaluar një miliard dëgjime në platformë ndërsa sot ajo renditet në mesin e artisteve me më shumë këngë që kanë kaluar këtë prag, shkruan InMusicBlog.
Ndërkaq, Karol G dhe Shakira mbajnë rekordin si gratë latine me më së shumti këngë mbi një miliard dëgjime. Ndërkohë, LISA dhe JENNIE nga BLACKPINK janë të vetmet artiste solo të K-Pop-it që kanë arritur këtë sukses me këngët “MONEY” dhe “Popular”. Por edhe shqiptarët përfaqësohen mirë në këtë listë me dy artiste me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha dhe Dua Lipa, të cilat kanë nga katër dhe 12 këngë respektivisht që kanë tejkaluar këtë shifër. Deri më sot, vetëm pesë këngëtare kanë mbi 10 këngë që kanë kaluar një miliard dëgjime në Spotify. Suksesi më i fundit i këtij lloji është ai i Doja Cat me këngën “You Right”, e cila u bë kënga e saj e tetë që kalon këtë shifër.