Djali më i vogël i David Beckham, Cruz Beckham, i është kundërpërgjigjur Cristiano Ronaldos pasi ky i fundit deklaroi se është fizikisht superior ndaj ish-yllit të Manchester United.
Gjatë një interviste të fundit në Piers Morgan Uncensored, Ronaldo u pyet se kush është më i pashëm: ai apo David Beckham. Sulmuesi portugez, tashmë 40 vjeç dhe në sezonin e tij të tretë me Al Nassr në Arabinë Saudite, nuk hezitoi aspak në përgjigje.
Fytyra e tij është e bukur, po, ka fytyrë të pashme. Pjesa tjetër është normale, shumë normale. Unë nuk jam normal. Unë jam perfekt
-u shpreh ai me vetëbesim.

Të hënën, Cruz Beckham, 20 vjeç, reagoi në Instagram duke iu referuar komenteve të Ronaldos.
Ai postoi një krahasim mes pamjes së Ronaldos në vitin 2003, kur nënshkroi me Manchester United si 18-vjeçar ende i panjohur dhe i ri, dhe një fotoje të David Beckham-it në fillim të të 20-ave, ku ky i fundit dukej shumë më i kuruar dhe fotogjenik.
Me këtë, Cruz dukej se donte të theksonte se babai i tij e fiton lehtësisht “duelin e pamjes” në atë fazë të jetës.

Në intervistë, Ronaldo kishte shpjeguar më tej:
Për mua, të jesh i pashëm nuk është vetëm fytyra, por e gjithë paketa. Imagjino Cristiano dhe një djalë normal me rroba banje të kuqe në Copacabana, mendon se s’do kem shans me askënd?
Kur Piers Morgan e pyeti hapur se kush do të tërhiqte më shumë vëmendje në plazh, ai apo Beckham, Ronaldo u përgjigj pa hezitim:
Unë, 100 për qind
-duke shkaktuar të qeshura në studio.

Megjithatë, portugezi dha edhe një vlerësim pozitiv për Beckham-in:
Duket mirë. Më pëlqen. Është një djalë që flet mirë, më pëlqen.
Ai shkoi edhe më tej duke sugjeruar se mund të jetë personi më i famshëm në botë:
Le të bëjmë një debat botëror: kush është më i famshëm, unë apo Presidenti Donald Trump? Mendoj se, në të gjithë botën, edhe në ishujt më të vegjël, më njohin më shumë mua se atë.
Ndërkohë, Cruz, që po hyn seriozisht në muzikë, ka pasur së fundmi edhe një tjetër përplasje online. Ai ka reaguar ndaj komenteve që e akuzojnë se ka “kopjuar” The Beatles dhe Oasis me këngët e tij të reja.
Muzikanti i ri ka publikuar single-in me dy këngë “Optics” dhe “Lick The Toad” dhe po mban një sërë performancash të vogla live në Londër me bandën e tij.

Pasi disa përdorues në rrjete sociale komentuan se këngët i ngjajnë shumë grupeve legjendare, Cruz postoi një screenshot të komenteve dhe shkroi:
Po, e keni fjalën si… të shkruash një këngë. Disa njerëz më dhembin në tru. Xhelozia ndez delir. Bloody hell.
Me reagimin e tij për Ronaldon dhe kritikat për muzikën, duket se Cruz Beckham po tregon se është i gatshëm të mbrojë si veten, ashtu edhe emrin e famshëm të familjes.
