Projektligji i ri “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit”, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të përafruar legjislacionin shqiptar me Rregulloren e re të BE-së (CPR 2024), vendos për herë të parë një regjim tërësisht të ri dhe mjaft të rreptë sanksionesh administrative.

Ndryshe nga kuadri i vjetër ligjor, skema e re e gjobave është ndërtuar mbi bazën e nivelit të rrezikut, rëndësisë së shkeljes dhe madhësisë ekonomike të operatorit. Objektivi kryesor është goditja e drejtpërdrejtë e falsifikimeve, mungesës së dokumentacionit teknik dhe tregtimit të materialeve të pasigurta të ndërtimit.

Katër nivelet e gjobave për operatorët ekonomikë

Shkeljet e kryera nga prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe përfaqësuesit e autorizuar janë kategorizuar në katër shkallë rëndësie (shumë të rënda, të rënda, mesatare dhe të lehta), me masa financiare progresive.

Për shkeljet e lehta masa e gjobës parashikohet 50,000 lekë. Kjo ka të bëjë me mospërputhjet me ndikim të ulët, si mungesa e elementeve bazë të gjurmueshmërisë apo vonesat në përditësimin e të dhënave jo-kritike.

Shkeljet mesatare parashikojnë një gjobë deri në 100,000 lekë. Kjo masë gjobe aplikohet për parregullsi në etiketim, informacionin shoqërues apo udhëzimet e përdorimit.

Ndërsa shkeljet e rënda që gjobiten 150,000 lekë, prekin mosbashkëpunimin me trupat e mbikëqyrjes apo mos përmbushjen e detyrimeve administrative të garantimit të cilësisë. Ndërsa gjobat 2% e xhiros vjetore, e cila konsiderohet shkelje e rëndë, aplikohen për shkeljet më serioze që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë publike. Kjo masë prek rastet e vendosjes në treg të produkteve pa Deklaratë Performance/Konformiteti, pa dokumentacion teknik, me markim CE të falsifikuar ose të vendosur në mënyrë të paligjshme.

“Ligji përcakton se për këtë kategori të rëndë, gjoba llogaritet si 2% e xhiros vjetore të kompanisë, por me një dysheme minimale prej 200,000 lekësh nëse përqindja rezulton më e ulët.”, thuhet në projektligj.

Sanksione edhe për tregtinë online dhe organet e certifikimit

Për herë të parë, regjimi i sanksioneve shtrihet edhe te platformat e tregtimit online, ofruesit e shërbimeve të dërgesave (logjistikës) dhe shitjet në distancë. Nëse këto platforma lejojnë tregtimin e materialeve pa dokumentacionin e kërkuar, ato do të përballen me gjoba dhe urdhra për heqjen e menjëhershme të përmbajtjes nga rrjeti.

Nga ana tjetër, presioni i kontrollit rritet edhe mbi vetë Organet e Miratuara (laboratorët dhe trupat certifikues). Për shkelje të procedurave të vlerësimit apo konflikt interesi, gjobat për to janë caktuar në tre nivele:

80,000 lekë
150,000 lekë
300,000 lekë
Përveç gjobave financiare, këtyre organeve mund t’u pezullohet ose t’u hiqet tërësisht miratimi ligjor për të ushtruar veprimtarinë.

Rritje e gjobës me 50% për shkelësit e përsëritur dhe masat shtesë

Për të shmangur praktikat e përsëritura të abuzimit, projektligji parashikon se nëse i njëjti operator kryen të njëjtën shkelje brenda dy viteve, masa e gjobës financiare rritet automatikisht me 50%.

Përveç penaliteteve financiare, trupat inspektuese (IQMT dhe ISHTI) kanë të drejtë të zbatojnë masa administrative bllokuese, si:

Tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu ose kthimin mbrapsht te prodhuesi;
Pezullimin e përkohshëm të aktivitetit tregtar;
Shkatërrimin e produkteve ose bërjen e tyre jofunksionale kur ato paraqesin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.