Një skandal i rëndë ka tronditur botën e tenisit, pasi tenistja hungareze Panna Udvardy ka bërë publike mesazhe kërcënuese që mori para një ndeshjeje në turneun Antalya WTA 125. Sportistja, e renditur në vendin e 95 në botë, deklaroi se nga një numër i panjohur në WhatsApp i erdhën disa mesazhe shqetësuese, ku dërguesi i kërkonte të humbiste ndeshjen, përndryshe familja e saj do të ishte në rrezik.
Sipas Udvardy, personi që e kërcënoi i dërgoi një foto të një arme dhe pretendoi se dinte gjithçka për familjen e saj, përfshirë vendin ku jetonin, makinat që përdornin dhe madje edhe numrat e telefonit. Tenistja bëri të ditur se menjëherë njoftoi zyrtarët e turneut dhe familjen e saj, ndërsa autoritetet u vunë në lëvizje për të hetuar rastin.
Organizatorët e turneut morën masa të menjëhershme sigurie dhe tre oficerë policie qëndruan pranë saj gjatë zhvillimit të ndeshjes. Policia gjithashtu vizitoi shtëpinë e prindërve të saj për arsye sigurie. Udvardy përfundimisht humbi ndeshjen në çerekfinale ndaj tenistes ukrainase Anhelina Kalinina me rezultatin 7-6 dhe 7-5.
Ky nuk është rasti i vetëm. Pak ditë më parë edhe tenistja italiane Lucrezia Stefanini raportoi një kërcënim të ngjashëm gjatë kualifikueseve të turneut Indian Wells. Edhe ajo deklaroi se kishte marrë mesazhe në WhatsApp me foto arme dhe detaje për familjen e saj. Autoritetet e tenisit ndërkombëtar kanë nisur hetime për të zbuluar nëse këto kërcënime lidhen me tentativa për manipulimin e ndeshjeve nga rrjete bastesh ilegale.



