Këngëtarja Elvana Gjata ka reaguar përmes një mesazhi të publikuar në Instagram lidhur me protestat në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për dhunën dhe përplasjet që shoqërojnë demonstratat.
Në reagimin e saj, artistja shpreh dhimbjen për situatën në vend, duke u ndalur veçanërisht te të rinjtë që protestojnë, por edhe te rastet kur përplasjet përfshijnë policinë dhe qytetarët. “Pse duhet të vijmë gjithmonë në këtë pikë?”, shkruan ajo në nisje të mesazhit, ndërsa më tej shpreh dëshpërimin për atë që po ndodh në Shqipëri.
Elvana thekson se është e dhimbshme të shohësh të rinj që dhunohen, policë që dhunohen dhe qytetarë që ngrenë dorën kundër njëri-tjetrit. Sipas saj, pakënaqësitë dhe zemërimi mund të shprehen edhe pa përdorur dhunën. “T’i dëgjojnë pa paragjykim. Pa kushte. Me përkushtim. Të zgjasin një dorë të ndershme për një dialog të vërtetë!”, apelon ajo.
Në pjesën tjetër të reagimit, Elvana u bën thirrje protestuesve të vijojnë të shprehin zërin e tyre, por të shmangin shkatërrimet, djegiet dhe dhunën. “PROTESTO! ULËRIT! FRYMËZO! BASHKOHU NË PROTESTË QYTETARE! Por. MOS SHKATËRRO! MOS DIGJ! MOS DHUNO!”, shkruan këngëtarja.
Në përfundim, ajo kujton se Shqipëria u përket të gjithë qytetarëve, edhe atyre që kanë mendime të ndryshme, ndërsa nënvizon rëndësinë e së ardhmes së të rinjve. “Rinia është e ardhmja dhe meriton të ardhmen e artë!”, përfundon Elvana Gjata, duke përcjellë mesazhin se protestat dhe kërkesa për ndryshim nuk duhet të shoqërohen me dhunë.

