Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit.
Mësohet se në pranga ranë Donati Jaku dhe Florian Gjeta, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sipas policisë, automjeti tip “Volkswagen” që drejtohej nga 22-vjeçari Gjata dhe ku pasagjer ishte 31-vjeçari Jaku u ndalua për kontroll në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut”. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 6 armë zjarri, pistoleta të markës “Sig Sauer”, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen kryesisht në zonën e Freskut.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”. Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit. Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”. Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.
Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”. Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit Donati Jaku 31 vjeç, banues në Shkodër dhe Florian Gjeta22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”. Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë. Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.
Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S.. Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



