Artan Myrtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”, është 44-vjeçari që mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur paraditen e sotme në qendër të Sarandës.

Myrtaj dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor. Autorët i zunë pritë 44-vjeçarit teksa ai po lëvizte në këmbë, ndërsa pas të shtënave u larguan nga vendi i ngjarjes.

Nga plumbat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si Xhevdet Skëndaj.

Artan Myrtaj rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ishte përfshirë edhe në një ngjarje të ndodhur në korrik të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, të dy nga Kamza.

Myrtaj ishte dënuar më herët edhe për veprën penale të “Vjedhjes”. Sipas të dhënave të hetimit, ai ishte i njohur gjithashtu si përdorues i lëndëve narkotike.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të atentatit.