Një paraqitje e Justin Trudeau në tribunat e Botërorit 2026 ka shkaktuar reagime të shumta në Kanada, pasi ish-kryeministri u pa duke ndjekur ndeshjen mes SHBA-së dhe Paraguait në vend që të ishte i pranishëm në debutimin e kombëtares kanadeze në turne.
54-vjeçari u filmua në ambientet VIP të SoFi Stadium në Los Angeles, i shoqëruar nga partnerja e tij, ylli i muzikës pop Katy Perry. Këngëtarja ishte një nga protagonistet e ceremonisë së hapjes, ku interpretoi himnin amerikan para mijëra tifozëve të pranishëm në stadium dhe miliona shikuesve në mbarë botën.
Perry tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj skenike, ndërsa spektakli i hapjes u kompletua edhe nga performanca të artistëve të njohur ndërkombëtarë si Tyla dhe Anitta.
Megjithatë, ajo që dominoi diskutimet në internet nuk ishte ceremonia, por zgjedhja e Trudeau për të ndjekur sfidën e ekipit amerikan. Në rrjetet sociale, veçanërisht në platformën X, shumë përdorues kanadezë shprehën zhgënjimin e tyre, duke argumentuar se një ish-lider i vendit duhej të mbështeste përfaqësuesen e Kanadasë në një moment kaq të rëndësishëm.
Kritikat ishin të shumta, me disa komentues që ironizuan faktin se Trudeau kishte zgjedhur të ishte pranë partneres së tij në vend të kombëtares kanadeze, ndërsa të tjerë e interpretuan mungesën e tij si një mungesë interesi për ngjarjet sportive të vendit.
Marrëdhënia mes Trudeau dhe Perry ka qenë vazhdimisht në qendër të mediave që nga mesi i vitit 2025, kur dolën raportimet e para për afrimitetin e tyre. Më pas, dyshja e bëri publike lidhjen dhe që atëherë është shfaqur rregullisht në aktivitete kulturore, sportive dhe evente të profilit të lartë.
Së fundmi, këngëtarja amerikane ka folur hapur për partnerin e saj, duke e përshkruar si personin më të rëndësishëm në jetën e saj gjatë një eventi promovues të projektit të saj më të fundit.
Pas largimit nga politika aktive, Trudeau duket se ka zgjedhur një ritëm tjetër jetese, larg debateve parlamentare dhe angazhimeve shtetërore, duke i kushtuar më shumë kohë jetës private dhe aktiviteteve personale. Megjithatë, paraqitjet e tij publike vazhdojnë të tërheqin vëmendje dhe të ndezin diskutime, veçanërisht kur lidhen me tema që prekin ndjenjat kombëtare të kanadezëve.
