Një 9-vjeçare, e njohur në rrjetet sociale për historinë e saj prekëse me kancerin në tru, ka ndërruar jetë. Charlie Meza ishte diagnostikuar në vitin 2020, vetëm 3 vjeçe, me medulloblastomë, një formë agresive e kancerit në tru që prek kryesisht fëmijët. Gjatë viteve të trajtimit, nëna e saj, Taylor, dokumentoi betejën e vajzës në Instagram përmes llogarisë Cheering for Charlie, e cila numëronte mbi 100 mijë ndjekës.

Sipas familjes, gjendja shëndetësore e vogëlushes ishte përkeqësuar gjatë muajve të fundit. Një trajtim eksperimental, i konsideruar si shpresa e fundit, rezultoi i papërshtatshëm për formën e saj të kancerit. Në janar, Charlie hyri në kujdes paliativ në shtëpi, ku familja u përqendrua në mbajtjen e saj sa më të qetë dhe të rehatshme.

Një fushatë mbledhjeje fondesh e organizuar nga një mik i familjes për të ndihmuar me shpenzimet e përditshme dhe kostot e funeralit ka mbledhur brenda pak ditësh afro 100 mijë dollarë.