Mëngjesin e kësaj të shtune, Tirana u trondit nga lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të vajzës së futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez. Ngjarja ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të vendosë shtyrjen e ndeshjes së Kategorisë Superiore mes skuadrës bardheblu dhe Flamurtarit.

Presidenti i FSHF, Armand Duka, reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shprehur ngushëllimet e tij dhe të institucionit ndaj futbollistit, familjes së tij dhe klubit të Tiranës.

“Lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të vajzës së vogël të futbollistit Freddy Alvarez më ka tronditur pa masë. Në këto momente të vështira, fjalët janë të pakta për të lehtësuar dhimbjen e një prindi dhe të një familjeje. Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Freddy Alvarez-it, familjes së tij dhe klubit të Tiranës. U prehtë në paqe engjëlli i vogël”, shkroi Duka.