Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë një apel të qartë për respektimin e të drejtës ndërkombëtare, duke reaguar mbi situatën e “Global Sumud Flotilla”.
“Do të jemi jashtëzakonisht të qartë: asgjë nuk mund të justifikojë ndonjë operacion që nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Po i kushtojmë vëmendje maksimale. Kërkojmë që bashkëkombësit tanë, të cilët kanë marrë këtë vendim, një vendim për angazhim, të mbrohen. Po monitorojmë situatën ndërsa ajo zhvillohet dhe do të ndërmarrim masat e duhura”, deklaroi Macron gjatë konferencës për shtyp pas samitit të Bashkësisë Politike Evropiane.
Ai shtoi se Franca po bashkëpunon ngushtë me partnerët evropianë, veçanërisht Italinë dhe Spanjën, për të siguruar që të gjitha rregullat të respektohen dhe bashkëkombësit e saj të mbrohen siç duhet.
Deklarata e presidentit francez vjen në një moment kur komuniteti ndërkombëtar ndjek me vëmendje zhvillimet e flotiljes “Global Sumud”, dhe thekson përkushtimin e Francës ndaj ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së qytetarëve të saj jashtë vendit.