Ish-aktorja Jessica Mann ka dëshmuar sërish në një gjykatë në Manhattan kundër producentit të njohur të Hollywood-it, Harvey Weinstein, duke rrëfyer mes lotësh pretendime të rënda për abuzim seksual që datojnë nga viti 2013.
Gjatë dëshmisë së saj, Mann tha se Weinstein dyshohet se u përpoq ta detyronte të përfshihej në një marrëdhënie seksuale në treshe dhe më pas e përdhunoi në një dhomë hoteli në Midtown Manhattan, në hotelin Doubletree, më 18 mars 2013.
Vazhdimisht po thosha ‘Jo’ dhe po përpiqesha të largohesha
-deklaroi ajo para jurisë, ndërsa përshkroi momentin si tepër traumatik.
Sipas saj, producenti e kishte mbajtur të shtrënguar në shtrat dhe ajo ndihej sikur trajtohej si pronë e tij.
Mann foli edhe për një tjetër incident të pretenduar më vonë gjatë të njëjtit vit, duke thënë se kishte humbur ndjenjat gjatë aktit për shkak të peshës së tij.
Ajo tregoi se e kishte njohur Weinstein në Los Angeles kur ishte 27 vjeçe dhe sapo kishte nisur karrierën si aktore. Sipas dëshmisë së saj, marrëdhënia mes tyre nisi me elementë pëlqimi, por më pas u kthye në presion dhe abuzim.
Jessica Mann foli gjithashtu për fuqinë që Weinstein kishte në industrinë e filmit, duke thënë se ai shpesh përmendte lidhjet me figura të fuqishme dhe krijonte frikë përmes ndikimit të tij.
Harvey Weinstein është deklaruar i pafajshëm për akuzat që lidhen me këtë rast. Ai ndodhet aktualisht në burg duke vuajtur një dënim të mëparshëm për dhunë seksuale në Kaliforni dhe përballet me procese të tjera gjyqësore në Nju Jork.
