Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Turqi, pasi një kalë kampion garash rezultoi se ishte therur dhe mishi i tij ishte shërbyer pa dijeninë e qytetarëve në një mensë publike të administruar nga bashkia. Ngjarja ka ndodhur në distriktin Yenişehir, në provincën Mersin, ku një qytetar zbuloi një objekt të pazakontë në porcionin e tij të kavurmës, një pjatë tradicionale turke me mish të skuqur. Hetimet e mëvonshme zbuluan se objekti ishte mikroçipi i një kali garash katërvjeçar, i quajtur Smart Latch.

Sipas autoriteteve të bujqësisë, analiza e ushqimit e kryer më 4 shkurt konfirmoi se në porcionet e asaj dite dhe të ditës paraardhëse ishte përdorur mish kali. Pas zbulimit, u asgjësuan 213 kilogramë kavurmë të prodhuar në kuzhinën publike. Smart Latch ishte një pelë race e njohur, e cila kishte fituar tre gara gjatë karrierës së saj, përfshirë vende të para në hipodromin e Adanas. Kali ishte tërhequr nga garat pasi kishte pësuar një dëmtim në këmbë gjatë garës së fundit në tetor. Gjatë karrierës së saj kishte siguruar 1 milion e 125 mijë lira turke shpërblime.

Pronari i kalit, Suat Topçu, deklaroi se kishte planifikuar ta dhuronte kafshën në një klub hipizmi dhe se kishte ngarkuar një transportues lokal për këtë proces. Ai tha se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur me kafshën deri në momentin kur u kontaktua nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë, ai është gjobitur me 132 mijë lira turke pasi nuk kishte deklaruar zyrtarisht dhurimin e kalit. Pronari u shpreh se gjoba nuk është gjëja më e rëndësishme, por zbulimi i personave që kryen këtë akt mizor.

Hetuesit dyshojnë se kali nuk ka mbërritur kurrë në klubin e hipizmit dhe se në vend të kësaj është dërguar në thertore. Sipas dyshimeve paraprake, mishi i tij është etiketuar në mënyrë të rreme si mish viçi dhe më pas i është shitur kompanisë që furnizon mensën publike të bashkisë. Bashkia e Mersinit është mbrojtur duke deklaruar se mishi i përdorur në kuzhinat sociale ishte siguruar sipas rregullave përkatëse, por hetimet vazhdojnë për të zbuluar se si një kalë gare i regjistruar përfundoi i therur dhe i servirur si ushqim për qytetarët.