Zhvillime të reja kanë dalë nga hetimet për aksidentin tragjik të ndodhur në Romë, ku humbi jetën 20-vjeçarja Beatrice Bellucci. Autoritetet italiane kanë vendosur nën hetim Silvia Piancazzo, shoqen e viktimës që ndodhej në timon natën e aksidentit.
Ngjarja ndodhi më 24 tetor në rrugën Cristoforo Colombo në Romë. Sipas mediave italiane, ekspertiza teknike ka nxjerrë në pah se aksidenti nuk u shkaktua vetëm nga BMW-ja që po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Prokuroria po heton për akuzën e vrasjes nga pakujdesia, ndërsa hetuesit dyshojnë se edhe drejtuesja e automjetit ku ndodhej viktima mund të ketë përgjegjësi në përplasjen fatale. Avokati i Silvia Piancazzo deklaroi se bëhet fjalë për një tragjedi dhe jo për një garë ilegale mes makinave, siç ishte dyshuar fillimisht.
Sipas tij, ekspertiza dhe pamjet filmike tregojnë se nuk kishte ndjekje apo sfidë mes automjeteve, ndërsa të dyja makinat po lëviznin mbi kufirin e lejuar të shpejtësisë.
Mbrojtja pretendon se shkaku kryesor i aksidentit ishte hyrja në korsinë e kundërt nga automjeti tjetër, ndërsa drejtuesja e makinës ku ndodhej Beatrice Bellucci ka qëndruar për katër javë në terapi intensive pas përplasjes. Hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit vijojnë ende nga prokuroria italiane.

