I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Lancio” me David Priftin ka qenë Ylli Shahaj, i njohur edhe si DJ Iljano. Në këtë intervistë ai ka zbuluar më shumë detaje jo vetëm nga karriera e tij muzikore, projektet që pritet të publikohen por edhe ka treguar se si qëndron e vërteta e këngës së Rezarta Shkurtës dhe projektit muzikor që ai kishte përgatitur për ta sjellë me Rozana Radin që bëri bujë disa muaj më parë. 

Davidi e pyeti në fillim nëse i qëndron akoma deklaratës së tij ku thotë se: Muzika sot është shterpë, po bëhet biznes. Ai u përgjigj duke thënë se:

Ka qenë një titull për të cilin më kanë shkruar shumë miq dhe më kanë thënë se ka edhe muzikë të mirë dhe duhet të isha shprehur ndryshe por unë prapë i qëndroj mendimit që është më shumë shterpë se ç’ishte. Është mendim personal, por unë e testoj në dy këndvështrime. Si fillim e shoh edhe si DJ ku unë dhe kolegët e mi luajmë pothuajse të njëjtat këngë, që do të thotë se hite këtë vit mund të kenë qenë me gishtat e njërës dorë. 4 ose 5 këngë që mund të kenë qenë të reja. Pjesa tjetër e një seti të një DJ janë këngë të vjetra, të ripërpunuara. 

Çfarë i mungon sot muzikës shqiptare sipas tij?

Kjo ha shumë diskutim të themi të drejtën, momentalisht ka ndryshuar mosha, njerëzit që bëjnë jetën e natës, dëgjuesit. Kanë të bëjnë shumë edhe rrjetet sociale.