Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të vizitojë Rusinë, gjatë qëndrimit të tyre në Pekin për aktivitetet përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore.
Pas përfundimit të bisedimeve që zgjatën mbi dy orë, dy liderët jo vetëm që shtrënguan duart, por shkëmbyen edhe një përqafim. Kim iu drejtua Putinit me fjalët “shihemi së shpejti”, ndërsa presidenti rus iu përgjigj: “Ne të presim, eja na vizito”. Nëse realizohet, kjo do të ishte vizita e tretë e liderit koreano-verior jashtë vendit në gjashtë vitet e fundit.
Takimi mes dy liderëve autoritarë u zhvillua në prani të presidentit kinez Xi Jinping, me të cilin ata ndanë skenën në sheshin Tiananmen gjatë ceremonisë për 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Ky ishte momenti i parë publik ku Xi, Putin dhe Kim u shfaqën së bashku.
Ndërkohë që Pekini dhe Moska kanë shpallur një partneritet “pa kufi”, analistët vlerësojnë se Xi Jinping po përpiqet të ruajë një balancë në marrëdhëniet me Rusinë dhe Korenë e Veriut, duke shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe sanksione të reja nga Perëndimi. Deri tani, nuk është shpallur një takim zyrtar trepalësh mes Xi, Putin dhe Kim.