Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili gjendet në parburgim prej korrikut të vitit 2024, kur u arrestua për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në disa çështje, përfshi dhe atë të njohur si “Toyota Auris”.

Prokurori Aurel Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit një muaj para se të arrestohej, pas një seance dëgjimore të shkurtër në të cilën nuk u vunë në dukje probleme që mund ta cenonin atë.

Pas arrestimit, vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke u ngritur shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit. Edhe drejtuesi i SPAK, u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi në përfundim shkarkimin e Zarkës për cënim të besimit të publikut, ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Julian Mërtiri e cilësoi të parakohshëm vlerësimin e figurës bazuar në të dhënat e çështjes penale në ngarkim të subjektit.

Mërtiri argumentoi se kërkimi i drejtuesit të SPAK bazohej vetëm në të dhënat e çështjes penale ndaj Zarkës, që është ende në gjykim dhe nuk ka ndonjë vendim. Mërtiri deklaroi se subjekti kërkonte pafajësi dhe konfirmin në detyrë. Gjatë shpalljes së vendimit të enjten, Kolegji konstatoi se subjekti rezulton në pamundësi për blerjen e një apartamenti e dy grazheve, si burim krijimi të cilave ka shërbyer kursimet e babait të tij të ndjerë, të deklaruara se janë përfituar nga puna në emigracion, para fillimit të detyrës si prokuror.

Sipas KPA, nuk janë provuar të ardhurat e babait në emigracion. Po ashtu, u konstatua se të ardhurat nga shitja e këtyre pasurive kanë shërbyer për krijimin e likujditeve. Kolegji solli në vëmendje dhe faktin se Zarka ka blerë një apartament më lirë nga sa e kishte blerë shitësi dhe e ka shitur pak kohë më vonë sa dyfishi i çmimit të blerjes.

Për figurën, Kolegji bëri me dije se, pas studimit të të dhënave të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK lidhur me figurën, ndan të njëjtin qëndrim me drejtuesin e SPAK, për t’i konsideruar ato në vlerësimin tërësor së bashku me gjetjet në aspektin profesional. Sipas KPA, në një procedim penal të vitit 2019 konstatohen mangësi profesionale, por ato nuk janë gjetur të mjaftueshme për shkarkim e për rrjedhojë janë konsideruar në vlerësimin tërësor.

Lidhur me mosfillimin e një procedimi penal, KPA ndan të njëjtin qëndrim me drejtuesin e SPAK, se gjetjet kanë lidhje me çështjet që referohen dhe në raportin e AKSIK, që në përfundim ka konkluduar për papërshtatshmëri.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, gjyqtarja Natasha Mulaj konstatoi se ka përfshirje sistematike të Zarkës në komunikime të koduara, për të cilat Gjykata e Posaçme ka konkluduar se ato të dhëna janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, ajo vërejti se mbrojtësi ligjor i Zarkës nuk ngriti pretendime për pavlefshmëri e papërdorshmëri të atyre akteve.

Sipas Kolegjit, pavarësisht nëse këto komunikime përbëjnë ose jo vepër penale, ato janë të papërshtatshme e të mjaftueshme për të cënuar figurën e magjistratit, si dhe përshtatshmërinë e tij, etikën e rregullat e sjelljes që duhet të ketë një prokuror. Ndërkohë, u gjetën të pabazuara pretendimet se shqyrtimi rrethanave lidhur me të dhëna për të cilat nuk ka një vendim përfundimtar, cënojnë procesin e rregullt ligjor.

Në përfundim, Kolegji vlerëson se gjetjet e konstatuara në të tre kriteret, dëmtojnë rëndë besimin e publikut dhe se për rrjedhojë, prokurori Aurel Zarka gjendet i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Bazuar në këto arsyetime, KPA vendosi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Aurel Zarkës.

Njoftimi:

Trupi gjykues i Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot vendimin për çështjen (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që lidhet me ankimin e Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.

Trupi gjykues përbëhej nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo. Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi në mënyrë unanime:

Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Aurel Zarka. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.