Pasditen e sotme, në selinë e Partisë Socialiste u zhvillua një mbledhje e këshilltarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u vendos nisja e procedurave për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në takim u firmos dokumenti zyrtar për shkarkim, i cili do të paraqitet në mbledhjen e së martës, në orën 16:00.

Burime nga mbledhja thanë se disa këshilltarë fillimisht hezituan të hidhnin firmën. Aldo Mërkoçi kërkoi që në deklaratë të theksohej kontributi i Veliajt për Tiranën, kërkesë që u pranua. Eridian Saljanji po ashtu e quajti vendimin politik “të vështirë”, duke shtuar se do të ishte i gatshëm të sakrifikonte postin e tij për Veliajn.

Megjithatë, në fund të gjithë këshilltarët e pranishëm nënshkruan kërkesën për shkarkim.

Pas paraqitjes së kërkesës, Këshilli i Ministrave merr vendimin përfundimtar. Veliaj do të ketë 15 ditë kohë për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Juristët diskutojnë edhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili lë hapësirë për interpretim. Pikërisht në këtë nen do të mbështetet kërkesa për shkarkim, megjithëse nuk përcakton qartë nëse mungesa në detyrë e kryebashkiakut duhet të jetë e arsyetuar apo jo.

Aktualisht, Veliaj është i arrestuar, por ende pa një vendim të formës së prerë.