Serbia po thellon bashkëpunimin ushtarak me Kinën, duke shtuar investimet në armatime moderne dhe duke ngritur shqetësime të reja në rajon dhe në qarqet perëndimore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka bërë të ditur se Beogradi planifikon të sigurojë raketa të reja balistike supersonike CM-400, të cilat i përshkroi si armë me kapacitete të fuqishme strategjike. Krahas tyre, Serbia synon të blejë edhe avionë të rinj luftarakë, ndërsa ekspertët e sigurisë dyshojnë se edhe këto mjete mund të jenë me origjinë kineze.

Në vitet e fundit, Kina është shndërruar në një nga partnerët kryesorë të Serbisë në sektorin e mbrojtjes. Ushtria serbe ka pajisur arsenalin e saj me dronë luftarakë CH-92A dhe CH-95, si dhe me sisteme moderne të mbrojtjes ajrore FK-3 dhe HQ-17. Serbia mbetet gjithashtu vendi i vetëm në Evropë që posedon raketat kineze CM-400.

Zhvillimet e fundit kanë tërhequr vëmendjen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, të cilat prej kohësh kanë paralajmëruar për ndikimin në rritje të Pekinit në Ballkan. Zyrtarë evropianë kanë theksuar se afrimi ushtarak me Kinën mund të komplikojë më tej rrugën e Serbisë drejt integrimit evropian.

Edhe vendet e rajonit po e ndjekin me shqetësim forcimin e kapaciteteve ushtarake serbe. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, deklaroi se Zagrebi do të konsultohet me aleatët e NATO-s lidhur me blerjet e fundit të Beogradit. Në reagimin e tij, Vuçiç tha se Serbia ka të drejtë sovrane të vendosë vetë për armatimin e saj dhe se askush nuk mund t’i diktojë politikën e mbrojtjes.

Sipas analistëve të sigurisë, Serbia po përpiqet të ruajë një ekuilibër mes Lindjes dhe Perëndimit, duke mbajtur lidhje të afërta si me Kinën dhe Rusinë, ashtu edhe me vendet perëndimore. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e investimeve në ushtri dhe blerja e sistemeve të avancuara të armatimit po rikthejnë debatet për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.