Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Indi, ku një veterinerja e re ka humbur jetën pasi u sulmua nga një hipopotam shtatzënë brenda një kopshti zoologjik. Viktima, një 27-vjeçare, kishte hyrë gjatë natës në zonën ku mbahej kafsha për të kryer një kontroll rutinë dhe për të matur temperaturën e saj. Pas përfundimit të kontrollit, hipopotami u bë papritur agresiv dhe e sulmoi.

E reja u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetojë si pasojë e plagëve të rënda dhe humbjes së madhe të gjakut. Sipas autoriteteve, kafsha ishte në ditët e fundit të shtatzënisë dhe ndodhej nën monitorim të vazhdueshëm.

Rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa është hapur një hetim për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të kuptuar pse veterinerja ishte futur e vetme në kafaz. Familjarët e viktimës kanë ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe mënyrën se si u lejua një situatë e tillë, ndërsa autoritetet kanë kërkuar respektim më të rreptë të protokolleve për trajtimin e kafshëve të egra.