Mark Samson, sipas një piste që po hetohet nga hetuesit e Seksionit të Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit, dyshohet se është ndihmuar nga një bashkëpunëtor për të zhdukur trupin e pajetë të Ilaria Sulës. Sipas hetuesve, dikush tjetër mund të ketë marrë makinën për ta afruar pranë banesës në rrugën “Via Homs”. Për hetuesit është e vështirë të besohet se i riu mund të ketë transportuar për më shumë se njëqind metra valixhen, nga e cila dilnin këmbët e viktimës, në mes të ditës.
Një element me rëndësi të madhe hetimore janë këpucët e gjetura me njolla gjaku mbi to, të cilat do t’i nënshtrohen analizave të specializuara. 23-vjeçari me origjinë nga Filipinet ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për feminicidin e ish-të dashurës së tij shqiptare, e cila, pasi u vra, u hodh në një greminë në Capranica Prenestina. Nëna e tij, Nosr Manlapaz, akuzohet për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Ajo dyshohet se ka ndihmuar të birin për të pastruar gjurmët e gjakut nga banesa në “Via Homs”, pas krimit.
Hipoteza e një bashkëpunëtori tjetër mbetet ende e hapur. Gjithçka lidhet me kohën e ngjarjes. I riu ka deklaruar para hetuesve se e ka vrarë Ilaria Sulën në mëngjesin e 26 marsit, pasi i kishte sjellë mëngjesin në shtrat, në një kohë kur në shtëpi ndodhej vetëm nëna e tij. Por hetuesit dyshojnë se vrasja ka ndodhur natën e 25 marsit, kur në banesë ndodhej edhe babai.
Samson ka shkruar dhe dërguar nga burgu një letër ndjese për prindërit e viktimës së re.
“Po ju shkruaj nga qelia ime, ku do të qëndroj për shumë vite – shkruan ai në letër – Çdo ditë mendoj për krimin e tmerrshëm që kam kryer dhe nuk di çfarë të them, por mbi të gjitha nuk e di çfarë më ndodhi. Është e zakonshme të kërkosh ndjesë për dhimbjen që kam shkaktuar, por dua t’i kërkoj ndjesë Ilarias. Nuk e respektova kur ajo donte të ndahej nga unë. U çmenda nga dhimbja dhe humba kontrollin. Jam i vetëdijshëm që asgjë nga ato që mund të them apo të bëj sot nuk do ta zbusë sadopak dhimbjen e familjes. Nuk po përpiqem të zvogëloj përgjegjësinë time apo të shmang pasojat e veprimit tim. Jam gati të paguaj për fajet e mia pa asnjë justifikim”.
Letra është firmosur nga vetë Mark Samson.
Por sipas familjarëve të Ilaria Sulës, letra nuk mund të fshijë mizorinë e asaj që ka ndodhur. Përmes avokatit të tyre, Giuseppe Sforza, familja i është përgjigjur të riut:
“Teksti i kësaj letre – thotë avokati – duket më shumë si një pasqyrim i vetes së tij, pa asnjë vëmendje reale ndaj peshës së veprës së kryer. Secili ka të drejtën të shkruajë, por gjithashtu prindërit e Ilarias, gjithë familja e saj, vëllai dhe të tjerët, kanë të drejtën të mos i pranojnë këto ndjesa”.
Sa i përket hetimeve, dëshmia e tij përmban shumë të panjohura. Samson ka thënë se e ka vendosur trupin e pajetë të vajzës në një valixhe, të cilën më pas e ka mbajtur në krah për 100 metra deri te makina. Megjithatë, më 2 prill, kur zjarrfikësit gjetën valixhen në greminën e Capranica Prenestina-s, këmbët e viktimës dilnin jashtë nga pjesa e poshtme. Ky detaj tregon se valixhja nuk mund të përmbante trupin në mënyrë të plotë. A është e mundur që Samson të ketë ecur në mes të ditës në lagje me një trup të pajetë në dorë pa u vënë re nga askush? Kjo hipotezë konsiderohet pak e besueshme. Dyshohet se dikush tjetër ka sjellë makinën pranë banesës, për të minimizuar rrezikun