Një incident i rëndë është regjistruar jashtë një qendre tregtare në Holandë, ku një efektiv policie shfaqet duke ushtruar dhunë ndaj dy grave myslimane. Ngjarja është filmuar nga kalimtarë dhe pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Në video shfaqet momenti kur dy gratë, të cilat sapo kishin dalë nga qendra tregtare, përballen me policin. Fillimisht, efektivi godet me shkelm në bark njërën prej tyre. Më pas, gruaja tjetër reagon duke e goditur me një qese që mbante në dorë.

Pas këtij veprimi, polici duket se përshkallëzon reagimin, duke goditur të dyja gratë me shkopin e gomës që mbante me vete.

Pamjet kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe organizata kanë kritikuar ashpër sjelljen e policit, duke e cilësuar atë si disproporcionale dhe të pajustifikueshme ndaj civilëve.

Autoritetet holandeze nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin apo masat që mund të merren ndaj efektivit të përfshirë.