Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në stacionin kryesor të furnizimit me ujë të qytetit të Fierit, pasi flakët përfshinë zonën e Drizë.

Sipas drejtorit të Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Gentian Alikaj, zjarri është vënë tashmë nën kontroll, por ka dëmtuar bazën materiale të stacionit të ujësjellësit.

Alikaj bëri të ditur se ndërhyrja e parë për shuarjen e flakëve është kryer nga vetë punonjësit e ujësjellësit, pasi në ato momente shërbimet zjarrfikëse ishin të angazhuara në mbrojtjen e banesave të rrezikuara nga përhapja e zjarrit.

Autoritetet pritet të bëjnë një bilanc të plotë të dëmeve materiale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse incidenti do të ndikojë në furnizimin me ujë të qytetit.