Një skandal i rëndë ka shpërthyer në sportin italian, pasi Prokuroria e Trapanit ka kërkuar 10 vite burg për peshëngritësin e njohur Antonino Pizzolato, fitues i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të Parisit. Sportisti akuzohet për përdhunim në grup, një çështje që ka tronditur publikun dhe komunitetin sportiv. Dënimi prej 10 vitesh është kërkuar edhe për tre të pandehur të tjerë: Davide Lupo, Claudio Tutino dhe Stefano Mongiovi.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në korrik të vitit 2022 në Trapani. Viktima, një turiste finlandeze, ishte në një restorant me shoqet e saj kur u njoh me të pandehurit. Prokuroria thotë se vajza kishte konsumuar alkool, gjë që ata e shfrytëzuan për ta shkëputur nga grupi dhe për ta çuar në një rezidencë.

Aty, sipas akuzave, janë kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Dhuna u ndërpre vetëm në momentin kur vajza kërkoi mes lotëve të kthehej në hotel. Prokurorja Sbocchia deklaroi se gjatë gjithë procesit nuk u gjet asnjë provë që të tregonte pëlqimin e saj.

Gjykimi pritet të vijojë në muajin janar, kur pala mbrojtëse do të paraqesë argumentet kundërshtuese, ndërsa rasti vazhdon të shkaktojë debate të shumta dhe të hedhë hije të rënda mbi sportin italian.