Një 14-vjeçare tregoi gjakftohtësi të jashtëzakonshme kur u përball me një hajdut të maskuar brenda shtëpisë së saj dhe në vend që të fshihej, mori telefonin për të lajmëruar karabinierët, duke shpëtuar vëllain 9-vjeçar. Ngjarja ndodhi në një vilë në via Zanchetta, në Susegana, Treviso. Nëna kishte dalë për rreth një orë për të marrë pjesë në një funeral, ndërsa dy fëmijët kishin mbetur vetëm në shtëpi. Duke menduar se banesa ishte bosh, grabitësit hynë nga dera anësore e kuzhinës, të cilën e kishin forcuar me një mjet metalik.

Fillimisht fëmijët dëgjuan një zhurmë dhe menduan se ishte kthyer nëna. Por qeni nisi të lehë me insistim. Kur 14-vjeçarja shkoi në kuzhinë, u përball sy më sy me një burrë me kapuç e maskë, që po kontrollonte sirtarët. Pas disa sekondash tensioni, ajo telefonoi menjëherë numrin e emergjencës 112.

Reagimi i saj i papritur e detyroi hajdutin të largohej me shpejtësi. Ai doli nga e njëjta derë dhe hipi në një makinë të bardhë që e priste jashtë, çka lë të kuptohet se banda mund ta kishte vëzhguar familjen prej kohësh. Patrulla e karabinierëve mbërriti menjëherë, ndërsa edhe fqinjët dolën në ndihmë. Edhe pse nuk u vodh asgjë, dëmet në derë janë të konsiderueshme.