Një 17-vjeçar me origjinë indiane është akuzuar për vrasjen e nënës së tij 45-vjeçare dhe vëllait 14-vjeçar në shtëpinë e familjes në Acton të Massachusetts, në Shtetet e Bashkuara. Sipas autoriteteve, Arjun Aravind përballet me dy akuza për vrasje në lidhje me vdekjen e nënës së tij, Sudha Venkatesan, dhe vëllait Siddharth Aravind. Ndaj tij janë ngritur gjithashtu akuza të tjera për dhunë dhe përdorim të paautorizuar e vjedhje të një automjeti.

Ngjarja u zbulua mbrëmjen e 11 gushtit, pasi babai i 17-vjeçarit kontaktoi policinë dhe kërkoi një kontroll në banesë, pasi nuk arrinte të komunikonte me bashkëshorten dhe fëmijët. Edhe një mësues privat që duhej të shkonte në shtëpi nuk kishte mundur të hynte brenda. Policia gjeti 14-vjeçarin në katin e parë të banesës, ndërsa nëna e tij u gjet në bodrum. Autoritetet thanë se të dy kishin shenja të dukshme traume, por shkaku dhe mënyra e saktë e vdekjes nuk janë përcaktuar ende publikisht.

Prokurorja e Qarkut Middlesex, Marian Ryan, bëri të ditur se gjatë hetimeve janë zbuluar edhe kërkime të mëparshme të kryera nga 17-vjeçari në internet dhe në ChatGPT. Sipas saj, ato përfshinin ide teorike dhe histori imagjinare që lidheshin me vrasjen e anëtarëve të familjes. Disa prej kërkimeve, sipas hetuesve, përfshinin krijimin e personazheve fiktive dhe historive në stilin e romaneve gotike, të cilat duket se kishin lidhje me kërcënime ndaj familjes. Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se këto kërkime, në vetvete, nuk përcaktojnë motivin e dy vrasjeve.

Kur policia mbërriti në banesë, 17-vjeçari nuk ndodhej aty. Hetuesit dyshojnë se ai ishte larguar me automjetin Honda Accord të nënës së tij. Makina u lokalizua mëngjesin e së mërkurës në një parking në Wayland, ku adoleshenti u gjet brenda dhe u arrestua pa rezistencë. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivin e mundshëm.