Një çift britanik ka rrëfyer momentet e ankthit që përjetuan në aeroportin e Dubait, ku qëndruan për 22 orë të bllokuar mes kaosit dhe mijëra udhëtarëve që përpiqeshin të largoheshin nga Lindja e Mesme. Lee Smart, 36 vjeç, dhe partnerja e tij Nina Luminati, 35 vjeçe, arritën në Londër pas një pritjeje të gjatë dhe të tensionuar në aeroport, pasi shumë fluturime u anuluan për shkak të situatës së sigurisë në rajon.

Çifti kishte udhëtuar drejt Indisë për një dasmë dhe po prisnin një fluturim tranzit për t’u kthyer në Britani, kur u bllokuan në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tyre, situata në aeroport ishte kaotike, pasi mijëra persona u drejtuan njëkohësisht drejt terminaleve për të gjetur një mënyrë për t’u larguar nga rajoni.

Lee Smart e përshkroi situatën si një kaos të vërtetë, ndërsa shumë njerëz kaluan natën duke fjetur në karriget e aeroportit duke pritur një fluturim. Ndërkohë, pothuajse të gjitha fluturimet nga Dubai u pezulluan pasi dronë dhe raketa iraniane shënjestruan Emiratet, në një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Pas një pritjeje të gjatë, çifti arriti të hipte në një fluturim të kompanisë Emirates që u nis drejt Londrës në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, shumë qytetarë britanikë mbeten ende të bllokuar në rajon, ndërsa qeveria britanike ka nisur fluturime të posaçme për të riatdhesuar qytetarët e saj.