Vendimi për të deportuar në Poloni,  23-vjeçaren Roxana Letska, një punonjëse çerdheje në Londër, e cila u dënua me tetë vjet burg për abuzim sistematik të 21 foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, po shkakton reagime të forta në Britani. Gruaja e re u lirua dhe u deportua pas vetëm 14 muajsh në paraburgim, si pjesë e një programi largimi të hershëm për të burgosurit e huaj.

Sipas Daily Mail, Letska u përshkrua nga autoritetet britanike si përgjegjëse për një seri “abuzimesh sadiste” kundër foshnjave që në moshën dhjetë muajshe, gjatë punës së saj në dy çerdhe në Londër. Sipas dokumenteve të gjykatës, 23-vjeçarja goditi, shqelmoi dhe goditi me shuplakë gjithsej 21 fëmijë dhe pranoi shtatë akuza për abuzim me fëmijë. Edhe pse ajo mohoi 17 akuza të tjera, gjykata e shpalli fajtore për 14 akuza të tjera për abuzim gjatë punësimit të saj gjashtëmujor në Twickenham Green Montessori.

Letska u dënua me tetë vjet burg në shtator 2025. Megjithatë, në shkurt 2026 ajo u deportua në Poloni pasi kishte vuajtur vetëm 14 muaj burg, përfshirë kohën në paraburgim. Prindërit e viktimave kanë reaguar fort ndaj këtij zhvillimi, duke e përshkruar deportimin e punëtores së dënuar si “shumë të vështirë për t’u pranuar”. Ata gjithashtu po bëjnë thirrje që abuzuesit e fëmijëve të përjashtohen nga skemat e lirimit të parakohshëm.

Nëna e një fëmije që pësoi plagë të rënda nga veprimet e Letska-s tha se mbeti “plotësisht pa fjalë” kur i thanë se 23-vjeçarja ishte deportuar, duke zbuluar se fëmija i saj është ende i traumatizuar.

Familjet e viktimave u informuan më pak se një javë para se gruaja të deportohej, duke shkaktuar një reagim të ashpër politik. Deputetja e Twickenham-it, Munira Wilson, e quajti vendimin “skandaloz”.

Gjatë gjyqit të saj, Letska u përpoq të justifikonte sjelljen e saj duke pretenduar se vuante nga mungesa e gjumit pasi kishte pirë kanabis gjithë natën me partnerin e saj.