Policia britanike ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë së një gruaje me të cilën dëshiron të flasë në lidhje me vrasjen e një 25-vjeçari në Londër. Ngjarja ndodhi në Battersea, në jug të kryeqytetit britanik, ku oficerët e policisë u thirrën pas raportimeve për një përleshje mes një grupi burrash më 2 mars. Kur mbërritën në vendngjarje rreth orës 18:12 në Thessaly Road, ata gjetën të plagosur rëndë 25-vjeçarin Tai Folkes.

Oficerët e transportuan menjëherë të riun në spital me plagë që rrezikonin jetën, por ai u shpall i vdekur pak kohë më vonë. Dy burra, të moshës 28 dhe 38 vjeç, u arrestuan në vendngjarje me dyshimin për tentativë vrasjeje. Ata janë liruar më pas me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë.

Më vonë policia ndaloi edhe një burrë 21-vjeçar dhe një grua 32-vjeçare nën dyshimin se kanë ndihmuar një autor të krimit. Edhe ata janë liruar me kusht gjatë hetimeve. Hetuesit kanë publikuar tani pamjet e një gruaje që besohet se ishte me viktimën në makinën e tij pak para sulmit dhe që mund të ketë informacione shumë të rëndësishme për rastin. Policia thekson se ajo nuk dyshohet për ndonjë vepër penale dhe konsiderohet vetëm si dëshmitare.

Sipas hetuesve, gruaja mund të ndihmojë për të kuptuar pse Tai Folkes shkoi në vendin ku humbi jetën. Për këtë arsye autoritetet po kërkojnë ndihmën e publikut për ta identifikuar dhe për të marrë dëshminë e saj. Familja e të riut ka bërë gjithashtu një deklaratë përmes policisë, duke e përshkruar atë si një djalë shumë të dashur për familjen dhe miqtë e tij. Ata thanë se ai ishte një i ri i kujdesshëm, plot humor dhe besnikëri.