Një instruktore joga nga Britania e Madhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm në Dubai pasi u arrestua nën dyshimet për posedim droge. Antonia Bettridge, 25 vjeçe, u zhvendos në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2023 për të nisur një jetë të re dhe për të ndërtuar karrierën e saj në fushën e fitnesit dhe trajnimit personal. Por jeta e saj në qytetin luksoz të Dubait është kthyer në një makth pasi autoritetet e arrestuan sipas ligjeve shumë të rrepta të vendit për drogën.
Sipas raportimeve, ajo akuzohet për posedim të substancave narkotike me qëllim shpërndarjeje. Nëse shpallet fajtore, rrezikon një gjobë që mund të arrijë deri në 200 mijë dirhemë dhe dënim me burgim të përjetshëm. Familjarët e saj kanë deklaruar se janë të shokuar nga arrestimi dhe se nuk e kuptojnë si mund të ketë përfunduar në këtë situatë, duke theksuar se jeta e saj është e përqendruar te fitnesi dhe një stil jetese i shëndetshëm.
Nëna e saj është shprehur se familja është e shkatërruar nga kjo situatë dhe kërkon sqarime për rrethanat e arrestimit, ndërsa shton se frika është edhe më e madhe për shkak të tensioneve dhe sulmeve në rajon. Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe zbatojnë ligje shumë të ashpra për drogën dhe në disa raste nuk është e nevojshme të provohet që substancat janë destinuar për shpërndarje për të ngritur akuza të rënda.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme britanike ka konfirmuar se po ofron ndihmë konsullore për një shtetase britanike të ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se është në kontakt me autoritetet lokale për rastin.




