Një histori tronditëse ka dalë në dritë, ku një 27-vjeçar u përball me rrezikun e vdekjes pasi simptomat e tij u neglizhuan për një dekadë. Luke Taylor, nga Anglia, vuante prej 10 vitesh nga dhimbje të forta koke, të shoqëruara me të vjella dhe gjendje të rënduar, por mjekët i konsideronin si migrenë dhe e cilësonin të shëndetshëm.

Gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm në vitin 2025, kur ai këmbënguli për një skanim MRI, i cili zbuloi një tumor të rrallë në tru. Për shkak të vonesës në diagnozë, tumori ishte rritur në përmasa të mëdha, duke detyruar mjekët të paralajmëronin se kishte vetëm disa ditë jetë nëse nuk ndërhyhej menjëherë.

Ai iu nënshtrua një operacioni të gjatë për heqjen e tumorit, i cili u shoqërua me komplikacione, duke përfshirë hemorragji në tru dhe ndërhyrje të dytë urgjente. Pas ditëve të vështira në spital dhe një periudhe të gjatë rikuperimi, 27-vjeçari arriti të mbijetojë, duke rifilluar nga e para funksione bazë si të folurit dhe ecja. Sot, ai dhe partnerja e tij po angazhohen për të ndërgjegjësuar njerëzit dhe për të mbledhur fonde për organizatat që mbështesin pacientët me tumore në tru.