Një 29-vjeçare britanike është gjetur e pajetë në një superjaht luksoz të ankoruar në portin e Palmës në Majorka, duke ngritur dyshime dhe hetime nga autoritetet spanjolle. Charlotte Condradie u gjet pa ndjenja në kabinën e saj mbrëmjen e së dielës në bordin e jahtit i cili ishte ankoruar në marinën e qytetit. Alarmit iu përgjigjën kolegët e saj pasi ajo nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të përsëritura.
Pak minuta më vonë në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 29-vjeçarja u shpall e vdekur në vend. Policia spanjolle ka nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e vdekjes, megjithatë deri tani autoritetet kanë bërë të ditur se rasti nuk po trajtohet si një krim. Trupi i saj është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Palma, ku pritet të kryhet autopsia për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Charlotte, e cila mbante pasaportë britanike, besohet se kishte lindur në Zambi dhe kishte jetuar prej vitesh në Evropë. Ajo kishte punuar më parë si stjuardesë në industrinë e jahteve luksoze dhe së fundmi kishte marrë një rol mirëmbajtjeje në anijen ku u gjet e pajetë.
Autoritetet kanë marrë në pyetje anëtarët e ekuipazhit si pjesë e procedurave standarde hetimore, ndërsa pritet rezultati i autopsisë për të hedhur më shumë dritë mbi këtë vdekje të papritur.




